35-vjeçarja Ksenia Sobçak do të sfidojë Vladimir Putinin në zgjedhjet presidenciale të Rusisë në 2018-ës . Gazetarja dhe prezantuesja televizive e shikon këtë kandidim si një mundësi për të transformuar vendin.
Për prezantuesen televizive, e cila nuk ka mbushur ende 36 vjeç, “pjesëmarrja në zgjedhje mund të jetë një hap përpara drejt transformimit të vendit, i cili ka shumë nevojë”.
Vajza e ish-kryebashkiakut të Shën Peterburgut dhe kumbar politik i Vladimir Putin, thotë se kandidatura e saj duhet të konsiderohet si një zgjedhje kundër të gjithëve. “Unë nuk do të jem një kandidate çfarëdo, por një megafon për të gjithë ata që nuk mund të përfaqësohen në zgjedhje: Jam e gatshme të kritikoj sistemin aktual, dhe nga këto lloj kritikash gjenden me shumicë në të gjitha pjesët e spektrit politik”, shprehet ajo.
Ndërsa për koalicione politike ajo thekson: “Jam e gatshme të pranoj propozime nga e majta si dhe nga djathta. Por nga ana tjetër problemet e korrupsionit dhe pushtetit të pandryshueshëm janë ndryshimet tona ideologjike më të mëdha”, nënvizon Sobçak.
“Gazetarja dhe prezantuesja televizive mund të ketë sukses në politikë por duhet të jetë e aftë t’i përgjigjet dëshirës së popullit”. Me këto fjalë zëdhënësi i presidentit Putin, Dimitri Peskov ka komentuar kandidimin e Ksenia Sobçak.
Ai e përshkruan 35-vjeçaren si një person me shumë talent, e cila ka eksperiencë në shumë fusha. Peskov e këshillon atë se; që të ecë në politikë duhet ta nisë nga zero dhe të fitojë eksperiencë. Nga këto fjalë kuptohet se kandidimi i saj nuk është parë si shqetësim nga administrata e presidentit rus.



















