Nata e tretë e spektaklit muzikor “C’est la vie” në Tv Klan, u ndërpre si pasojë e largimit nga jeta në mënyrë të papritur në moshën 68-vjeçare nga një atak në zemër e maestros Aleksandër Lalo, kryetar jurie i spektaklit.
Gjatë kësaj mbrëmjeje, moderatorja Marina Vjollca dhe anëtari i jurisë Altin Goci e theksuan disa herë se janë live, por pas ndërprerjes së transmetimit të këtij emisioni, u shkaktuan debate e polemika mbi këto deklarata e mbi regjistrimin e emisionit.
Altin Goci ka reaguar pak më parë për herë të parë në rrjetet sociale mbi këtë temë, duke dashur të respektojë largimin nga jeta të kompozitorit të njohur shqiptar. Ai ka shpjeguar se i është referuar këngëtarëve dhe orkestrës live, jo programit. Ja reagimi i tij!
“Në fakt kisha vendosur të mos replikoja fare ndaj spekulimeve të rastit në disa media, jo për gjë, por tanimë është bërë si traditë. Nuk doja të replikoja për respekt të profesorit Lalo pasi në asnjë çast nuk dua që humbja e tij e parakohshme të përdoret për gjerë të pavlera”, shkruan Goci.
“Po ndjej se kam një detyrim ndaj miqve të mi të rrjeteve sociale dhe prandaj dua të sqaroj se: Ajo çfarë kam thënë unë se “gjithçka këtu është Live” në serinë e fundit të #C’estlavie i referohet të kënduarit live (jo me play back), orkestrës që është e gjitha live përfshirë edhe harqet e veglat frymore dhe nuk kishte të bënte me regjistrimin e programit.”
“Kjo është shumë mirë e shpjeguar dhe besoj se kuptohet nga të gjithë. Tjetër gjë është e kënduara live (zë orkestër) të cilës unë i referohem dhe tjetër gjë është regjistrimi i programit.”
“Ikën nga kjo botë një thesar i muzikës shqiptare, dhe pa më dalë akoma brenga e kësaj ikje të madhe duhet të merrem me të tilla sqarime, gjëra që nuk kanë asnjë vlerë.”, përfundon reagimin Altin Goci.



















