Robert Aliaj e kemi parë si artistin rebel, si një firgurë publike me po të njejtin karakter, çka ka bërë që të vihet gjithmonë në qendër të vëmendjes. Me publikun e ndarë në gjys, ata që e pëlqejnë dhe ata që e kritikojnë, Roberti është ndër personazhet më të diskutuar të momentit. Përpos stilit dallues dhe natyrës ndryshe nga të famshmit e tjerë shqiptarë, këtë herë Aliaj ka ndarë një pjesë tjetër të jetës së tij me publikun.
I ftuar në emisionin e pasdites së Rudina Magjistarit, artisti është përlotur në studio pas transmetimit të një video të shkëputur nga “Dance With Me”, ku vajza e tij Gala, këndonte në krah të Robertit. Në pamundësi për të folur nga emocionet, Aliaj ka treguar se ndjen shumë mall për të bijën. “Më merr malli edhe për ato 8 orë që shkon në shkollë…”, ka thënë ai mes lotësh, ashtu sikurse ka zbuluar jo pak nga marrëdhënia e tij me fëmijët.
Aliaj ka rrëfyer se ka qenë gjithnjë një baba fanatik, e jo në kuptimin që të gjithë e njohim këtë cilësim. Roberti është shprehur se që kur ka qenë fare e vogël Gala, i shërbente në maksimum për çdo nevojë të saj, kur qante natën, kur ndihej e uritur, madje “…as nënën e saj nuk e lija t’i shërbente, se doja ta bëja gjithçka vetë”. Gala e ka përshëndetur të atin edhe nëpërmjet një video të shkurtër, ku shprehej se e donte shumë dhe i mungonte po aq shumë.
“Është një performuese perfekte”, ka shtuar dhe më tej Aliaj, duke treguar se Gala është e angazhuar në piano, kanto dhe sport aktualisht. Për sa i përket marrëdhënies me të birin, Kristin, Roberti ka thënë se në vegjëli ka patur të njejtën relatë si me të bijën, por tashmë që djali është 26 vjeç: “e durojmë njëri-tjetrin gjithnjë e më pak…” Duke e treguar me humor këtë situatë, Aliaj ka shpjeguar se mes gjithë padakortësive mes tyre, “çdo gjë sheshohet mbrëmjeve me një gotë verë”.
Për sa i përket bashkëshortes, Mozës, edhe kjo e fundit e ka përshëndetur të shoqin mes një klipi, ku ndër të tjera ka shprehur se përveç tij, familjen e ka marrë malli edhe për pastat me borzilok. Aliaj ka zbuluar se bashkëjtojnë prej 33 vitesh, ndërsa dashuria për njëri-tjetrin kishte lindur që në moshën 7-vjeçare, kur ishin njohur rastësisht në plazh. Edhe pse parë nga një këndvështrim krejt tjetër, publiku nuk e kishte njohur këtë anë të jetës së Robert Aliaj!



















