Pas bujës që bëri videoja në Instagram e Bleona Qerretit, ku këngëtarja flet dhe demonstron procesin e ngrirjes së vezëve, për të pasur mundësinë e bërjes fëmijë edhe në moshë të madhe, as Rita Ora nuk ka ngelur mbrapa.
Përkundrazi, e ftuar në një emision në Australi, ajo ka treguar se ka vite që i ka ngrirë vezët e saj, pasi ende s’e ka gjetur partnerin e duhur.
Rita Ora thotë se ka menduar të bëjë fëmijë që në moshën 20-vjeçare, por tashmë po arrin moshën 27-vjeçare dhe koha po i mbaron.
“Më këshilloi doktori pak pasi kisha mbushur 20-vjeç. Nuk e kam thënë asnjëherë këtë dhe shumë mund të mendojnë se përse e kam bërë, pasi jam shumë e re, por doktori më këshilloi që të tregohesha e kujdesshme dhe përse të mos i ngrija”, tregoi artistja për emisionin Sunrise.
Përveç mungesës së partnerit, Rita thotë si arsye edhe karrierën dhe angazhimin profesional që ka.
Sigurisht, trupi i femrës është i saji, dhe ajo ka të drejtën të bëjë me të çfarë të dëshirojë. Nuk ka asgjë të keqe nëse i drejtohesh shkencës për ndihmë, për të realizuar ëndrrën e mëmësisë, kur natyra nuk ta lejon më këtë mundësi.