Robert Aliaj është një ndër personazhet më të komentuar shqiptar, e kjo edhe për faktin se ai është një artist mjaft kontrovers. Jemi mësuar gjithmonë me anën kritike të tij, të cilën nuk e ka kursyer asnjëherë në panelin e jurisë së ‘Dance with me’. E siç e thotë edhe ai vetë, në publik ka bërë gjithmonë rolin e “të keqit”.
Por me sa duket publikut i pëlqejnë kritikat e sinqerta të këngëtarit, pasi, i ftuar sot në televizionin “Klan” në emisionin “Xing me Ermalin, ata nuk i kursyen duartrokitjet për të. Roberti u shfaq në intervistën e tij me Ermalin si asnjëherë më parë, duke treguar këtë herë anën e “mirë” të tij. I emocionuar, ai ka treguar se nënë e ka humbur në moshën 24-vjeçare, e teksa tregon se sa mall kishte për të, me fjalë të ndjera u bëri thirrje të gjithëve që të duan e të respektojnë sa më shumë mamatë e tyre.
“Për mua mamaja ishte model adhurimi. Kam qenë 24 vjeç kur ka vdekur, por nuk i kam thënë kurrë “jo”. Njerëzit që kanë mama sot i shoh njerëzit më me fat. Unë nuk e di çfarë do bëjë të kisha mama sot. Mamaja ime ishte karakter shumë i fortë. Sot ka paragjykim në marrëdhënie me prindin. Kur mamanë e sheh si shoqe sigurisht do ta shohësh si model, do të jetë e bukur, nuk ka asgjë të keq, ne mburremi kur kemi mamanë e bukur, motrën. Kisha qejf kur e gjuanin.”, ka thënë Roberti.
E sigurisht që nuk munguan edhe batutat e Ermalit, duke i ofruar me shaka mamanë e tij, pasi kuptoi se Roberti kishte kaq shumë mall për të ëmën. Veç rrëfimeve, Roberti ju kthye edhe njëherë profesionit të vjetër të tij. Ai rrëmbeu mikrofonin, ndërsa i dhuroi publikut mjaft emocione me zërin e tij.