Kemi kaq shumë kohë që e shohim në skenë këngëtaren e njohur Eranda Libohova, sa na duket sikur ajo ka një jetë aty, e pas disa kohësh shkëputje, këngëtarja mjaft e dashur për publikun, u rikthye sërish në muzikë me një bashkëpunim me Ardit Çunin.
Të ftuar sot në “Top Show Magazine”, ata kanë folur më shumë rreth projektit të sjellë së bashku. Të ngacmuar rreth titullit, i cili në fakt është i përsëritur edhe në pesë këngë të tjera, Çuni u përgjigj se në fakt ishte një zgjedhje marketingu, por kishin vendosur për këtë titull edhe sepse kishin preferuar diçka të shkurtër.
Ndërsa Eranda Libohova tha se nuk ka pasur përgjegjësi të madhe në lidhje me këngën dhe klipin. “Kam dhënë mendimet e mia dhe kam pasur vërejtje për sa i përket këngës, por klipin e ka bërë vetë Arditi, madje edhe ka xhiruar vetë”, tregoi Eranda Libohova.
E nuk kishin si të shpëtonin edhe disa pyetje për jetën private të këngëtares. Ajo tha në një moment “jam e lumtur” dhe kaq ka mjaftuar për t’ju bërë pyetja se çfarë e bën të lumtur këngëtaren, ndoshta ndonjë histori dashurie? Por me sa duket, Eranda është ende në pritje, teksa thotë: “Lumturia është një çast i vogël, të jesh e qetë dhe e ekuilibruar është më e rëndësishme. Unë kam këto të dyja dhe jam mirë. Mirë se të vijë dashuria por nuk ka ardhur, mund të jetë rrugës”.