E veshur elegante, me një stil tërësisht të ri, shumë ndryshe nga ai vajzëror që e shihnim në “Select” në Top Channel, teksa ecte e vendosur në hyrje të televizionit Klan, Kiara Tito sapo tregoi që ka nisur një fazë të re, të rëndësishme, pjekurie në ekran! Ish-modelja dhe bukuroshja e konkurseve të bukurisë, e ftuar në programin “Rudina”, të Rudina Magjistarit ndau me ndjekësit rrugën që kishte ndjekur për të mbërritur tashmë në një program mjaft të komentuar në çdo vend që ai transmetohet.
E rezervuar për programin, Kiara tregoi se për këte format, i cili realizohet në bashkëpunim me nje mjek italian i kirurgjisë estetike ka kohë që e ka nisur punën. “Kanë nisur xhirimet dhe jemi në fazë përgatitjeje. Është një program që do kohë të realizohet, pasi duke qenë se bëhen ndërhyrje ne do të presim dhe kohën për të marrë rezultatet”, u shpreh Kiara, teksa në ekran u shfaqën edhe disa nga xhirmiet e para të tij.
Programi është i konceptuar jashtë studiove televizive, ai do të sjellë ecurinë e ndërhyrjeve estetike të njerëzve të njohur apo të panjohur në klinikat spitalore. Emisioni ka ngjallur që tani kërshëri, ndërsa Rudina e ngacmoi Kiarën nëse ajo vetë ishte pro apo kundër vënies dorë te kirurgut në fytyrën e njerëzve.
Elokuente ajo dha një përgjigje diplomatike, “Nëse një ndërhyrje e tillë i bën të ndihen më mirë përse jo. Por jam kundër tepërimit dhe largimit nga vetvetja”, tha Tito.
Prezantuesja, teksa foli për veten e saj e pranoi që nuk e kishte pasur të lehtë për të prekur magjinë e televizionit, si dhe dëshmoi edhe mirënjohjen e saj për të gjithë ata që e kishin mbështetur në rrugëtimin e saj.