Milano u paraqit ndryshe më 25 shkurt, pasi një ndër emrat më të njohur italian realizoi një spektakël të plotë në një nga ‘epiqendrat’ e modës në Europë. Ndonëse shumë e njohin si blogeren e ëmbël sybojëqielli, Chiara Ferragni ka lënë gjurmë me firmën e saj në industrinë e veshjeve. E në këtë fund shkurti që lamë pas, Ferragni u kujdes të prezantonte koleksionin e saj të ri, krejt ndryshe nga çka ishim mësuar të shihnim më parë.
Temperaturat nën 0 gradë mund të kishin përfshirë qytetin, por kjo nuk e pengoi blogeren të arrinte synimin e saj: një sfilatë e realizuar në skelat e një pallati në qendër të Milanos, shoqëruar nga fillimi në fund nga tingujt e muzikës akustike. Edhe pse disi e pamundur të imagjinohet, ne po ju surprizojmë me një tjetër detaj – një modele shqiptare ishte pjesë e shfaqjes! Emrin e saj mund të mos e keni dëgjuar ende, por tashmë bëni mirë ta fiksoni në kujtesë: Xhuliana Bushi me siguri nuk do ta ndërpresë këtu karrierën e saj në fushën e modës.
Por, kush është Xhuliana?
Vajza 21-vjeçare me origjinë nga Kruja jeton prej trembëdhjetë vitesh në Itali dhe e quan ‘fat’ pjesëmarrjen në sfilatën e Ferragni-t në Milano. Ekskluzivisht për bordo.al, Bushi rrëfen pak nga e kaluara e saj: “Kam punuar si sekretare dhe hostess në evente të ndryshme në këtë qytet, përfshirë këtu pozicionin si hostess në pavionin e Shqipërisë për Expo 2015”.
Cilat janë detajet që veçon Xhuliana nga eksperienca në shfaqjen e Ferragni-t?
“Në konkurs morrën pjesë plot 200 vajza, edhe pse vetëm 40 modele ishin ato të cilat u përzgjodhën. Ndër to, bëja pjesë dhe unë”, ka rrëfyer Bushi, duke na dhënë kështu një ide më të qartë mbi atë çka ndodhi më 25 shkurt në Milano. Xhuliana ka bërë të ditur se seleksionimi i modeleve është bërë nga ana e një agjencie modelingu në këtë qytet, ndërsa ka zbuluar se paraqitja në sfilatë ka kushtuar mbi 1000 euro: “Mbaja veshur 1500 euro rroba, përfshirë këtu kostumin sportiv, këpucët sportive dhe xhupin”.
Çfarë përfitoi modelja shqiptare nga një eksperiencë e tillë?
Përpos pagesës prej 50 euro për një orë pune (përkthyer ndryshe në 30 minuta paradë), shuma monetare nuk ka qenë përfitimi i vetëm i Xhulianës. Ajo rrëfen se kjo eksperiencë i premtoi shumë, pasi vazhdon të mbetet në kontakt me stafin e Chiara Ferragni-t. “Njëkohësisht, më hapi rrugën që të bashkëpunoj edhe me agjenci të tjera modelingu në Milano”, ka vijuar dhe më tej Xhuliana, duke na bërë të mendojmë se kjo nuk do të jetë hera e fundit që do të dëgjojmë për të.
Le të shpresojmë që sfilata tjetër ku do të marrë pjesë modelja shqiptare do të jetë shumë më e afërt nga se mendojmë. Suksese, Xhulianës!



















