Alban Skënderaj mbajti një koncert recital, ku pjesë e publikut u bënë edhe disa nga personazhet e njohur. Pamë foto e video të ndara nga fansat në rrjetet sociale, ashtu sikurse vëmendje tërhoqi edhe deklarata e dashurisë që Miriami bëri ‘live’ në skenë. Parapërgatitjet për koncertin, vetë Albani i bëri publike ditë pas dite, duke mbajtur kështu publikun të ‘elektrizuar’ për atë çka do të ndodhte drejtpërdrejt në sallë.
Një ankesë lidhur me kushtimin e vëmendjes nga ana mediatike ka patur Elton Deda, i cili ka postuar një status në Facebook, ku kritikon neglizhimin e gazetarëve lidhur me lajmet për koncertin e Albanit. “Gjithçka ordinere që ndodh, histori seksi ose njerëz pa asnjë lloj vlere që bëhen të famshëm brenda ditës, lajme pa kurrëfarë brendie, servilizma për përkrahje politike ose futje hundësh nëpër gjëra private të njerëzve…këto i bëjnë me shumë qejf dhe zell”, e ka nisur kështu statusin Eltoni.
“Por, askush nuk foli për koncertin e 3 Musketierëve dhe as për koncertin e Albanit, për këtë erë të re që po e gëzon qytetin tonë. Askujt nga mediat tona nuk i intereson kultura dhe gjërat e mira që me aq mundim i bëjmë. Kjo është vërtet për të ardhur keq”, ka përfunduar Deda, duke shprehur kështu ankesën e tij për atë pak dritë të hedhur mbi eventet artstike në kryeqytet. Kjo nuk është hera e parë që Eltoni ngre shqetësime të tilla në rrjetet sociale…