Lajmi se Blendi Feviziu kishte biseduar me Ben Blushin për t’ju bashkuar Top Channel, ‘mori dhenë’ këto ditë të nxehta qershori!
Në fillim nisi si thashethem tavolinash (por që mesa duket shprehja ‘ku ka zë, s’është pa gjë’, nuk ka dalë dhe kot), e mandej ‘i zoti i punës’, vetë Blendi dha prononcimet e tij në pothuajse çdo portal që e kontaktoi. “Po është e vërtetë që kam biseduar me Top Channel, për një mundësi për t’ju bashkuar këtij ekrani, por ende nuk kam vendosur se çfarë do të bëj. Tani për tani nuk kam një vendim të prerë”, tha në telefon Fevziu për bordo.al.
Blendi Fevziu, gazetari që prej 20 vitesh moderon në Tv Klan (ekran ky që për hir të së vërtetës është në momentin më të mirë të tij) emisionin më të ndjekur politik në Shqipëri, mesa duket ka patur pakënaqësi për pagesën, e me gjasë kjo ka qenë arsyeja që ai me apo vetëdije krijoi gjithë tymnajën mediatike që u fry dhe plasi tamam si ajo flluska e sapunit.
Çfarë nuk menduan njerëzit! Kishte nga ata që menduan se Blendi nuk mund të mendohet pa Klanin. Të tjerë thanë se gazetari i “Opinion”, nëse largohet në Top Channel do ta ringrejë fytyrën e Top Media. Apo nga ata që ishin të bindur se largimi nga TV Klan do të ishte gabimi më i madh për gazetarin. Kishte dhe nga ata syresh që u dukej i pamundur ky ‘divorc’ mes Frangajt dhe Fevziut, dhe kureshtja për të ditur se si, kur, dhe pse lindi ky konflikt ishte e madhe.
E megjithatë me gjithë spekulimet e mundshme, më në fund ‘fati’ i Blendi Fevziut duket se u vendos. Ai nuk do të shkojë askund, por do të vazhdojë të qëndrojë në Tv Klan, të paktën edhe 5 vite të tjera.
Ky ka qenë versioni zyrtar që televizioni ka dhënë rreth kësaj çështje, ndaj “Opinion”, do vazhdojmë ta ndjekim sërish nëpërmjet ekranit të TV Klan.