Edhe pse ishte moderatorja ajo që e kuptoi shpejt gabimin me Edlir Rekën, që u hoq si piktor I njohur nëpër botë, por rezultoi një mashtrues, portalet e kanë fshikulluar ashpër duke e quajtur deri edhe “ velinë” që nuk ka filtruar informacionin dhe ka lejuar që publiku të keqinformohej. Por Rudina Magjistari nuk ia ka përtuar dhe përmes disa postimeve në rrjetet sociale, ua tregoi qartë qëndrimin e saj.
“Ç’skandal kishte plasur?- ka shkruar ajo; “ E gjitha u bë publike vetëm pasi unë gërmova dhe u binda për historinë e manipulimit. Ishte vetëm një koment sinjalizues, ai që më bëri të kërkoj. E postoj më pas në Instastory-in tim. Atëherë filluan të gjitha komentet në Instagram dhe publiku dëgjoi për herë të parë për këtë histori mashtrimi, e cila më vendoste përpara përgjegjësisë për ta sqaruar sërish me të njëjtin publik që e dëgjoi ndryshe disa ditë më parë.Kur ky djalë u ftua nga ne, e kishte thurur shumë bukur gjithçka. Kishte dalë disa herë përpara në televizione të tjera dhe kishte dhënë disa intervista nëpër portale të njohura shqiptare për fitoret e tij. Është e lehtë të thuash tani “si s’u verifikua”, por ajo që ne bëmë është që e zbuluam dhe demaskuam menjëherë një demaskim publik. Dhe dhamë mesazhe shumë të rëndësishme për shoqërinë dhe mbi të gjitha për rininë shqiptare. Në vend që të merreni me modelin shoqëror, efektin e kësaj historie, kapeni me njerëzit që përpiqen çdo ditë me shumë mund të bëjnë mirë dhe me përkushtim punën e tyre.”



















