KreuCelebrity

Mos pretendoni më zëra si të Vaces apo Toninit, gjërat kanë ndryshuar!

Mos pretendoni më zëra si të Vaces apo Toninit, gjërat

Nga Pandi Laco

Mes dyzimit të shfaqjes së një opinioni dhe heshtjes, si autor këngësh e producent spektaklesh, edhe këtë herë zgjodha rrugën e parë. Vjet, një status lidhur me këngën, u keqkuptua e keqinterpretua edhe nga disa  profesionistë të muzikës. Shpresoj që ky status të kuptohet drejt.

T’i kuptosh gjërat gabim nuk përbën ndonjë mëkat të madh. Perkundrazi ! Urrejtja, fodullëku, indiferenca, janë disa nga shtatë mëkatet kapitale. Kështu që unë po vendos ta cliroj veten  nga mëkati i  indiferencës,  duke hedhur disa mendime. Të tjerët le ta clirojnë nga mëkatet e tjera nëse i ndjejnë  sadopak në ndërgjegje. Nuk i jap të drejtën vetes të gjykoj të tjerët, por jam  I përgjegjshëm për këto që shkruaj.

Kur vjen Festivali, njerëzit dhe publiku presin mrekullinë. Presin festën e fundvitit që ka qenë mësuar ta konsumojnë bashkë me gjelin e Vitit te ri. Presin këngë që të këndohen të nesërmen e prezantimit në skenë. Por kjo s`do të ndodhë më kurrë..! Me ritmin frenetik që ka jeta sot, askush të mos pretendojë që të dëgjojë një zë si atë të Vaces apo Toninit, të shohë një buzëqeshje  “ujë e sapun” si të Parashqevisë, apo fytyrë  engjëllore si të Adriana Cekos. Ekzigjencat kanë ndryshuar. Normalisht edhe pritshmeritë nga figurat e ekranit, artistë, interpretues, moderatore, janë krejt ndryshe.

Mediat, portalet, zërat që degjohen sot janë të amplifkuara  në krahasim me dikur. Dikur , një spektator mund të diskutonte shijet e tij me shoqet e klasës apo me disa pjestarë të “kolektivit” të punës. Sot edhe njeriu më i painformuar e më profan, mund të bëjë një  koment e të ketë publikun e tij.

Keshtu , “Tam-tam”-i dhe gjylet  ndaj Thomait e  Verës, sot dëgjohen shumë më tepër. Ndërkohë, që një kohë , mjaftonte vetem një gjyle te binte.  Si në Festivalin e 11-të ! Ajo të shuante me fis e me fare. Sot gjylet janë qindra, po efekti I tyre eshte më i shkurtër se ai I fishekzjarreve të Nates së Vitit të ri.

Megjithatë, mundohemi te shkëputemi nga  Festivali, se fundi i fundit aty 20 këngë këndohen.

A  të vijmë te thelbi i cështjes? A te flasim pak për një të vërtetë të hidhur?

Kënga shqiptare po përjeton prej vitesh një krizë ! Kur them kënga shqiptare, nënkuptoj kënga që ka një identitet. Dikush mund të më sjellë argumentin se gjithshka është globalizuar , kështu që edhe ne si të gjithë.

Në fakt nuk është kështu!

Kënga vërtet është 3 minuta, por përmbajtja e saj, është si një film, si një tregim, si një roman, si një vepër e artit figurativ. Pra duhet të thotë dicka. Nëse e pranojmë këtë gjë, unë me bindje mund te them se kenga eshte ne krize te thelle madje. Vetem xixellonja te vogla artistike mund të shoh në këtë terr të këngës . Një Vlashent që don “Me jetu” e një Bojken që thotë “Malasin” e ndonjë tjetër, janë të papërfillshëm në një panoramë kaq të madhe të muzikës shqiptare.

Meqë shpesh i referohemi Festivalit të Sanremos, kënga e fundit fituese “Soldi”, ka  një fill e një mesazh, po ashtu ajo e Ermal Metes e Fabrizio Moros, “Non mi avete fatto niente” , apo Francesco Gabbanit “Occidentali’s Karma”.

Për një lexues më të gjerë – qe s’i ka dëgjuar me atë vesh këto këngë, tema e braktisjes së familjes, njeriut të dhënë vetëm pas parasë, tema e terrorizmit dhe frikës prej tij, janë vetëm disa pjeseza nga tematika e  oqeanit që mbulon muzikën.

Kënga është muzikë e vargje.

Sot kemi, pothuaj asnjë mesazh, e gjithshka pastaj ndjenja e perceptime krejt të sipërfaqshme.

Varfëri në  ide, pak inovacion, pak eksperimente artistike, në muzikë e orkestracion jo e jo, po as në vargje . Për sa kohë që kënga do realizohet sic prodhohet një “Molto chipita”,  me loop-a dhe beat-e, e do ketë varfëri idesh në përmbajtjen e teksteve, figuracione të varfra, shpesh vulgare e banale, fjali të stërpërsëritura, plot e përplot me zanore që t`ju tingëllojnë vokalicave dhe këngëtarëve, kjo histori do vazhdojë… Ama kështu kënga nuk bën dot histori.

Dëgjuesi I thjeshtë, ne përditshmerinë e halleve që ka,  sot mund të ketë pak kërkesa ndaj vetes. I mjafton thjesht një melodi e një ritëm për tu argëtuar. Për këtë masë dëgjuesish, ka boll muzikë. Ata thonë kollaj ” zemrën ma me thy”, e po “plas”. Po dëgjuesi nuk është një. Turma është një !

Po me sa duket Kënga jonë, po përjeton krizën e vetë shqiptarëve…

Normalisht ne periudha krizash, arti del mbi te, jo vetem duke vene gishtat mbi plage, pse jo edhe duke reaguar.

Përvec krizes së përgjithshme, varfërisë ekonomike, PPP-te, kriza shpirtërore, njeriu që ka humbur orientimin, i dëshpëruar, me sa duket janë pasqyra ku kënga shihet cdo ditë në mëngjes, vërdalloset gjithë ditën në bar-e, bën llogje e llogje pafund, dhe bie të flerë në darkë pa shkruar asgjë në ditarin e saj .

 

 

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF