Beyonce ia kishte dalë mbanë të qëndronte “jashtë radarit“ në fillimin e ceremonisë së ndarjes së cmimeve Golden Globes: ylli i popit e anashkaloi parakalimin në tapetin e kuq, dhe aty nga mesi i eventit, u ul si pa shumë bujë së bashku me të shoqin, Jay-Z në vendet që i kishin caktuar. Por gjithcka ndryshoi kur Joaquin Phoenix fitoi cmimin e aktorit më të mirë për interpretimin e shkëlqyer tek “Joker“. Të gjithë të tjerët u ngritën në këmbë në shenjë nderimi për aktorin e talentuar, vetëm Beyonce jo.
Këngëtarja qëndroi e ulur dhe vazhdoi të duartrokiste, dhe menjëherë në rrjet, “plasën“ teoritë se cfarë qëndronte pas këtij gjesti.
Një pjesë thoshin se ishte një formë proteste ndaj fitores së tij, të tjerë se ishte një arrogancë e shëmtuar dhe mungesë e qartë respekti për Phoenix. Beyoncé ishte nominuar dhe vetë për një Golden Globe për balladën “Spirit“ që krijoi për “The Lion King“ 2019, por nuk pati asnjë shans përballë Elton John dhe bashkëpunëtorit të tij Bernie Taupin, të cilet triumfuan me kolonën muzikore të Rocketman.



















