Në Itali, miliona njerëz janë në karantinë dhe 1,266 kanë vdekur nga koronavirusi. Në Korenë e Jugut, thotë REL, e cila është goditur në të njëjtën kohë, vetëm disa mijëra njerëz janë në karantinë, ndërsa kanë vdekur 72. Me përhapjen e koronavirusit, këto dy raste ilustrojnë problemet me të cilat vendet e tjera do të përballen gjithnjë e më shumë.
Italia, fillimisht, ka bërë testime masive, pastaj i ka ngushtuar ato, duke mos qenë në gjendje të kontrollojë qindra-mijëra pacientë, dhe në fund ka vendosur të kufizojë lëvizjen e njerëzve.
Mijëra kilometra larg, në Korenë e Jugut, autoritetet i janë përgjigjur ndryshe epidemisë me përmasa të ngjashme, thekson REL.
Deri më tani, atje janë testuar qindra-mijëra njerëz dhe i kanë gjurmuar transmetuesit e mundshëm të virusit si detektivë, duke përdorur telefonat mobilë dhe teknologjinë satelitore. Në të dyja vendet, të infektuarit e parë janë regjistruar në fund të janarit. Që atëherë, në Korenë e Jugut kanë vdekur 72 njerëz nga gati 8,000 raste të prekura, ndërsa janë testuar mbi 222,000 banorë. Në Itali kanë vdekur 1,266, janë infektuar mbi 17,660, ndërsa janë testuar rreth 73,000. Këto të dhëna tregojnë se testimi agresiv dhe i vazhdueshëm është mjet i fuqishëm në luftën kundër koronavirusit.



















