Fotografia: Eduart Grishaj
Arbana Osmani, prezantuesja e njohur e ekranit vendosi të dhurojë për lexuesit e Bordo pesë receta të shijshme të shkëputura nga libri i fundit “Receta për 5 minuta”. Ky dedikim për të gjitha gratë nga Arbana, vjen pikërisht në Mars, në muajin simbol të gruas. Bordo zgjedhi 5 receta, por ama ato nuk janë vetëm kaq, pasi nëse do të shfletoni librin, do të zbuloni se secila prej tyre fsheh mes përbërësish dhe erëzash histori dhe personazhe që lidhen me jetën e Arbanës.
Sallatë me spinaq e panxhar
Përbërësit për 4 persona: 200 gr spinaq, 1 kokërr panxhar sheqeri, 50 gr djathë të bardhë, ½ avokado, vaj ulliri, kripë, uthull balsamike.
Përgatitja: Lajmë spinaqin dhe e kullojmë. Ziejmë panxharin e sheqerit dhe e grijmë në rende trashë. Bashkojmë në një tas panxharin dhe spinaqin, ku shtojmë avokadon dhe djathin e bardhë. I shtojmë sallatës vaj ulliri, uthull, kripë dhe e përziejmë shumë mirë.
Supë krem shparaguj
Përbërësit për 4 persona: 500 gr shparguj, 1 qepë e vogël, 1 karrotë, 1 patate e madhe, 1 litër lëng perimesh, 50 gr gjalpë, 1 lugë gjelle djathë parmixhano, 1 fetë bukë e thekur, 1 lugë gjelle vaj ulliri, piper, kripë.
Përgatitja: Pastrojmë shpargujt dhe i presim në copa. Qërojmë pataten dhe e presim gjithashtu. Në një tenxhere, skuqim në zjarr të ulët qepën me vaj ulliri, derisa të bëhet transparante me shpargujt dhe pataten. I hedhim lëngun e perimeve, pak kripë dhe e lëmë të ziejë për 20 minuta, derisa patatet të jenë zbutur. E kalojmë supën në mikserin elektrik dhe e përziejmë derisa të jetë bërë krem. I hedhim sërish në tenxhere, ku i lëmë për 3 minuta, derisa të bëhet një krem homogjen. Skuqim gjalpin derisa të fillojë të bëhet i kuqërremtë. Shtojmë djathin dhe gjalpin e tretur dhe e servirim me bukë të thekur.
Japrak me lakër
Përbërësit për 4 persona: 1 lakër e madhe, 300 gr mish i grirë, 150 gr oriz, 1 qepë e kuqe mesatare, dafinë, rigon, 5-6 lugë vaj ulliri, 3 lugë gjellë djathë parmixhano, kripë, piper, majdanoz
Përgatitja: përgatisim mbushjen duke grirë imët qepën në mikser. Qepën e grirë e skuqim me vaj ulliri në zjarr mesatar. Shtojmë mishin e grirë, i përziejmë, rrisim temperaturën e zjarrit dhe përziejmë derisa të skuqen. Shtojmë kripë dhe erëza.
Hedhim orizin dhe i përziejmë sërish. Shtojmë dy filxhan ujë dhe e ulim temperaturën afër minimumit. E mbulojmë me kapak dhe e lëmë të ziejë 20-30 minuta. (orizi duhet të mos ziejë plotësisht)
Në një tenxhere të madhe ziejmë ujë. Kur uji të jetë duke valuar, fusim fletët e lakrës një nga e një për 1 minutë. I heqim dhe i kullojmë.
Tek tigani ku kemi mbushjen, pasi orizi ka zier, hedhin pamixhanon dhe i përziejmë. Marrim me lugë mbushjen dhe e vendosim në mes të gjetheve të lakrës. I mbështjellim një e nga një.
I vendosim në një tigan të thellë në rrathë dhe u hedhin ujë sa të mbulohen japrakët. I vendosim sipër një pjatë dhe i ziejmë në zjarr mesatar për 15 minuta.
Sipas dëshirës, i servirim me majdanoz të grirë imët, ose me kos.–
Botuar në Revisten Bordo – Mars 2020