Festivali “Netët e klipit shqiptar” ka vendosur të jetë pranë publikut shqiptar edhe në këtë kohë të pazakontë.
Organizatorët e eventit kanë punuar në prapaskenë gjatë gjithë kësaj kohe, për të sjellë tek teleshikuesit një festival ndryshe por njësoj cilësor ashtu si në 16 edicionet e shkuara.
Programet do të nisin transmetimin të dielave në ekranin e RTSH-së, ndërsa ky edicion sjell risi edhe në prezantim.
Prezantimi i këtij edicioni të 17-të i është besuar sërish moderatores Arjola Shehu por ajo nuk do të jetë e vetmja sepse një figurë e njohur e gazetarisë është thirrur nga producentja Alda Bida. Në krah të Arjolës do të jetë Dasara Karaiskaj, gazetarja e njohur me një karrierë disavjeçare.
Sa i përket organizimit ai do të jetë i përshtatur me kushtet e karantinës dhe nga 26 prilli programet do të përmbajnë klipet e konkurrimit, intervista, kthime pas në kohë, muzikë nga shtëpia dhe videocall-e me protagonistët e klipeve.
“Një edicion tepër i veçantë në kohë të vështira. Deliart ka gjetur gjithmonë rrugën për të qenë pranë publikut që prej 17 vjetësh e ndjek Festivalin e Klipit Shqiptar”- shkruan produksioni në njoftimin e bërë publik pak orë më parë.