
Nga Akademia e Shkencave mbërrin një lajm shpresëdhënës në fundin e këtij viti të zymtë. Ky institucion paraqiti sot rezultatet e fazes së dytë të studimit seroepidemiologjik mbi imunitetit të popullsisë në situatën e pandemisë së shkaktuar nga Covid-19, bazuar kjo në të dhënat e depistimit. Sipas mjekut Sulçebe, popullata e Tiranës ka fituar rreth 50% imunitet: “Në fund të 2020, mbi 50% e popullsisë së Tiranës janë imunë ndaj koronavirusit. Përparësi të vaksinohen ata që nuk e kanë kaluar infeksionin. Sepse janë më të brishtë. Të tjerët kanë antitrupa. Studimin e realizuam në tri faza për të parë si ishte gjendja pas lock-doën. Bëmë sondazh tek 124 individë dhe rezultoi se vetëm 1 ishte pozitiv. Kontakti i virusit me popullatën ishte minimal. Pra na nxiti që të shohim gjendjen e shtrirjes në një popullatë më të gjerë. U përzgjodhën popullatat e disa qendrave shëndetësore, me rreth 200 mijë banorë. Dolën pozitivë 48.5%. Ky është konkluzioni që nxjerrim sot. Pra, kemi qenë në kontakt me virusin dhe janë të imunizuar dhe shpresojmë që ky imunitet të jetë afatgjatë. Kjo popullsi përfaqëson atë të Tiranës. Gjysma e popullatës së Tiranës e kanë kaluar pandeminë dhe janë imunizuar në mënyrë natyrale”, – u shpreh ai. Nga të dhënat e bëra publike nga ASH, në rang kombëtar, rezulton të ketë fituar imunitet 25% e popullatës. Por a do kemi valë të tretë në pranverë? “Me gjasë po, por jo aq i fortë sa në dimër. Ky virus mund të zgjasë ndoshta deri në fund të vitit të ardhshëm, në forma të ndryshme”, shtoi eksperti.