Endri dhe Stefi, dy artistët simbol të qytetit të serenatave, vijnë çdo fundjavë në një program televiziv në News24 krah Ola Brukos…
Ata janë gjithmonë një dyshe e cila gjithmonë ngre peshë publikun nga skenat muzikore ku këndojnë, sepse janë aq origjinalë, sa vetëm dy vëllezër korçarë si Endri dhe Stefi mund të krijojnë një binom kaq të papërsëritshëm. Së fundmi, kur skenat kanë heshtur për shkak të pandemisë, ata u shfaqën në ekranin e Neës24 krah gazetares Ola Bruko, në një program ku muzika e tyre është qershia mbi tortë. Këngët e tyre këndohen jo vetëm në lagjet e Korçës, por në çdo cep të Shqipërisë, ndaj gazetarja dhe autorja e programit “Dola te Ola”, arriti që të krijonte një skuadër, e cila prej disa javësh ka kthyer gjithë vëmendjen në ekranin e vogël.
Ata që i njohin nga afër Endrin dhe Stefin e dinë që përveç zërit, ata kanë shumë humor, ndaj nuk kishte sesi të mos e bënin atë pjesë të ekranit. Endri tregon për revistën Bordo se ishte Ola ajo që e kishte kontaktuar përmes Instagramit, ndaj ai së pari vendosi të konsultohej me të vëllain, Stefin për të marrë një vendim. “Olën e njihnim prej kohësh. Më shkroi në Instagram dhe na kërkoi një takim. Në fillim lamë takim ku Ola na propozoi të ishim pjesë e programit. Pasi na tregoi formatin, me thënë të vërtetën pranuam menjëherë, pasi ne kishim shumë konsideratë për atë”– tregon Stefi.
Pasi pranuan, ata menjëherë u bënë pjesë e skuadrës së programit, madje u përfshinë aq fort, sa nisën të punonin çdo ditë për të gjetur edhe këngët të cilat përshtateshin me programin. “Këngët i zgjedhim vetë gjithmonë sipas tematikës së mbrëmjes por edhe personazheve të ftuar. Gjatë natës së parë e cila përkonte me ditën e 7 Marsit, ne kënduam këngën e mësuesit”– tregon Endri. E në fakt nata e parë ishte vërtet magjike, pasi përveç të ftuarve muzika e mbrëmjes ishte e zgjedhur, ashtu siç edhe ndodhi këngën pasardhëse, ku dedikimi ishte për bluzat e bardha. Të dy vëllezërit korçarë rrëfejnë për Bordo se janë shumë të vëmendshëm në zgjedhjen e këngëve, duke pasur parasysh se programi ka zakonisht personazhe nga bota politike, sociale, por edhe arti, duke i orientuar zgjedhjet e këngëve që përkojnë dhe me të ftuarit. “Pjesa e dytë e programit për ne është më shumë alegro, pasi kemi integruar shpesh artistë, me të cilët kemi kënduar në skenë së bashku, duke e kthyer programin në një skenë të vërtetë argëtuese”– rrëfen Stefi.
Por, nëse deri tani ata kanë qenë më së shumti të ftuar në programe televizive, tani ata janë dy bashkëpunëtorë të gazetares Ola Bruko, ndaj edhe janë më të dedikuar që të bëjnë zgjedhjet më të mira muzikore. “Ne jemi argëtuar deri tani me programin “Dola te Ola”, por edhe për ata që e ndjekin është një emision relaksues dhe reflektimi pas një jave të lodhshme, ne bëjmë maksimumin që të sjellim sa më shumë alegri, ndërsa OLA kujdeset që të gjejë personazhe të cilët zhvishen nga petku i tyre i përditshmërisë, ndaj së bashku sjellim një mbrëmje të këndshme për shikuesit” – rrëfejnë vëllezërit korçarë.