Viti i ri akademik do t’i gjejë studentët e New Generation në ambiente të reja, me hapësira të dyfishuara për mësim teorik dhe praktik, laboratorë, bibliotekë, ambiente për aktivitete kulturore dhe shkencore, pajisur gjithashtu me mjete dhe aparatura moderne pune, që studentët të punojnë dhe mësojnë si kolegët e tyre europianë.
Gjatë eventit të mbajtur në datën 24 Qershor, Presidenti i shkollës, Z. Ilir Tafaj në fjalën e tij përshëndetëse, përveç emocionit dhe arritjes së realizimit të ëndrrës 12 vjeçare për të patur ambiente sa më komode dhe moderne për realizimin e procesit mësimor, shprehu edhe arritjet dhe punën e palodhur të New Generation përgjatë dy viteve të vështira që lamë pas, të cilat shërbyen si një shtyse e madhe për të gjithë për të ecur përpara me vendosmëri duke treguar që një profesionist i kohëve të sotme duhet të jetë model i këmbënguljes dhe përshtatjes me situatën!
Ky event u finalizua nga sfilata me temë “I am New Generation” realizuar totalisht nga puna e studentëve dhe stafit, duke përcjellë tek të pranishmit kreativitet, ngjyra, emocion! Në të u pasqyruan një larmi teknikash dhe tendencash ku ndër të tjera vihej re punimi me aksesorë të shumtë ndihmës siç janë suportet dhe protezat e realizuara me dorë me ndihmën e strukturave metalike, strukturave të letrës, prezenca e luleve duke shprehur kështu lidhjen e fortë me natyrën etj. Sigurisht që nuk mund të mos ishin pjesë e kësaj sfilate edhe tendencat e grimit dhe stilimit të nuseve, performaca e të cilave u plotësua në maksimumin e vet edhe me fustane nusërie!
Të pranishëm në këtë event ishin gjithashtu: përfaqësues të nderuar nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë; Agjencia Kombëtare e Arsimit, Formimit Profesional dhe Kualifikimeve; Dhomës Kombëtare të Zejtarisë; Dhomës së Zejtarisë Koblenz, miq dhe bashkëpunëtorë të Qendrës Multifunksionale New Generation.



















