KreuBusull

Çfarë simbolizon anija në kultura të ndryshme!

Nëse e imagjinoni jetën si një udhëtim shpesh të rrezikshëm, atëherë anija përfaqëson sigurinë. Ajo na çon në rryma të ndryshme, por ne ankorohemi aty ku ka gjithmonë një garanci për vijimësinë. Nga ana tjetër anija është një simbol romantik, një simbol i pranishëm në të gjitha kulturat, nga antikiteti deri në ditët e sotme.

Në Egjiptin e lashtë, anija ishte mjeti që mundësonte udhëtimin drejt botës së përtejme. Gdhendjet e gjetura në piramida tregojnë se udhëtimi i fundit i njeriut për të takuar perëndinë e diellit Ra bëhet me një anije me vela prej zjarri. Varka në kulturën orientale konsiderohet si një simbol i pasurisë, përfaqëson diçka të re e cila do të shfaqet në horizont, e papritura dhe surpriza. Anija është një simbol i rëndësishëm në Mitologjinë Greke, Odisea tek Homeri në udhëtimin e tij plot mundime me anije e konsideron më shumë si një rrugëtim shpirtëror, i cili lidhet me procesin e pastrimit të njeriut. Arka e Noas konsiderohet si objekti i shpëtimit, ndaj edhe në kulturën e vjetër hebraike, shumica gjenin shpëtim brenda saj, pasi konsiderohej e sigurt.

Me ardhjen e krishtërimit, anija u kthye në një totem të rëndësishëm për kulturën fetare. Shpesh ajo është përdorur për të përfaqësuar vetë Kishën si një strehë për shpirtrat e krishterë të cilët duke pranuar Zotin mund të jenë pjesë e bordit – parajsës, pasi ajo konsiderohej Mbretëria e Krishtit.

Simbolika e saj tek letrat Tarot flet për intuitën, përgjegjësinë tonë për të lundruar mes baticave emocionale të jetës. Po ashtu anija dhe uji janë si jin dhe jang, balanca e të mirës dhe të keqes, gjetjes së ekuilibrit të përsosur. Anija përfaqëson një udhëtim, dlirësinë, aventurën dhe eksplorimin, por gjithashtu edhe feminitetin. Që nga tekstet e vjetra, barka lidhet me feminitetin dhe pjellorinë, konsiderohet si një djep i madh nga i cili vijnë të mirat materiale. Ndaj edhe shpesh nëse dikush shprehte një dëshirë, ata krijonin një anije në miniaturë dhe brenda saj vendosnin një qiri, e hidhnin në det, në mënyrë që ëndrrat apo dëshirat e tyre të merrnin jetë dhe të realizoheshin sa më shpejt.

Në kulturën amerikane, jeta imagjinohej si një udhëtim shpesh i rrezikshëm, ndaj edhe ata zgjidhnin ta vendosnin fatin e tyre në një anije me vela, e cila përfaqësonte simbolin e sigurisë. Anija mbart përmes simbolikës rrymat të cilat e çojnë në vende të ndryshme, derisa ankorohet diku. Marinarët e mbanin atë të gdhendur në formë tatuazhi, sepse simbolizon rikthimin në shtëpi, por edhe nisjen e një aventure të re në det të hapur. Nëse shihni në ëndërr sikur po udhëtoni me një anije, kjo tregon dëshirën tuaj për të ndryshuar jetën aktuale, duhet të merrni një nismë të re e cila lidhet me profesionin apo një biznes të ri.

Ndaj mos ngurroni ta mbani si objekt në hyrjet apo brenda shtëpive si dekorim, bizhuteri në formë vathi ose varëseje, madje edhe tatuazh, pasi të jeni të sigurt që kudo të lundroni, anija juaj do të ndalojë një ditë diku…!

 

Tags:

home busull

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF