Ftesa speciale që i është bërë Goran Bregovic për të performuar në “Festën e Birrës” në Korçë ka ngjallur reagime të shumta tek artistët dhe jo vetëm. Së fundmi ka qenë reperi i njohur Capital T, i cili tha se ai do të bënte hapjen e këtij eventi, por sapo mori vesh për ardhjen e muzikantit Bregovic ai anuloi performancën e tij. Reperi ndër të tjera i bëri thirrje popullit shqiptar ta bojkotojnë këtë event.
Në një video të publikuar në rrjetin e tij social, Capital T tha, “Përshëndetje të gjithëve, shpresoj që jeni mirë. E ndjeva të rrugës të reagoj për eventin e Festës së Birrës në Korçë për shkak se isha i ftuar të bëj hapjen e atij evenimenti dhe realisht isha shumë i lumtur të jem aty afër njerëzve që e duan muzikën dhe prezencën time aty. Por kur pashë se një artist serb siç është Goran Bregovic prej të cilit janë inspiruar forcat serbe dhe i kanë kënduar këngët e tij gjatë luftës në Kosovë, atëherë u detyrova të anuloj performancën time. Ju kërkoj falje të gjithë atyre që ndoshta e kishin shijuar atë moment bashkë me mua aty edhe iu bëj thirrje Bashkisë së Korçës absolutisht ta anulojnë prezencën e tij në Shqipëri për faktin se konflikti Kosovë-Serbi është ende i hapur dhe nuk i takon komunës së Korçës si institucion shtetëror që ta sjell një artist serb në këtë kohë në Shqipëri. Gjithë ata që dëshirojnë ta dëgjojnë muzikën e tij mund të shkojnë ta dëgjojnë në Serbi”.



















