KreuFashion

Njerëzit toksikë: 16 Mënyra të efektshme dhe  praktike si të sillemi me ta 

Nga Entela Dashi 

Edhe nëse njerëzit toksikë do ta kishin të shkruar në ballë atë se çfarë përfaqësojnë, vështirë se do t’i shmangnim dot. Ne gjithmonë mund të vendosim se kë do të lejojmë të kemi pranë por nuk është gjithmonë aq e thjeshtë për t’i përjashtuar njerëzit toksikë nga jeta jonë. Ata mund të jenë kolegët tanë, shefat, njerëzit e partnerit, njerkat ose thjeshtrat, të afërm…. dhe lista vazhdon.

 

Ne jetojmë në komunitet dhe vetëm nëse vendosim të jetojmë vetëm – të punojmë vetëm, të jemi vetëm (gjë që është shumë tunduese ndonjëherë, por ka edhe kjo kostot e veta) – ne përsëri do të hasnim në jetë ata që nuk do të donim.

Sado në mënyrë të detajuar t’i trajtojmë njerëzit toksikë, është e rëndësishme të kuptoni se ju nuk mund të ndryshoni askënd, kështu që e mira është të mos përpiqeni ta bëni këtë. Ruajini energjitë tuaja për diçka më të thjeshtë, si paqja në botë, ose të shkoni të vizitoni një yll. Çështja është që kur ju e bëni diçka ndryshe, gjërat do të ndryshojnë për ju, doni apo nuk doni.  Nëse nuk do të jenë njerëzit që ju i keni në konsideratë, do të jetë impakti i tyre.

Fuqia juaj ka të bëjë me atë se çfarë ju besoni- dhe jo se çfarë mendojnë të tjerët.

Të bashkëjetosh me njerëzit toksikë do të thotë të kalosh kohë me ta duke vendosur rregullat e tua, pastaj të pranosh se nuk ke nevojë që ata t’i respektojnë këto rregulla për të vendosur pushtetin tënd. Më poshtë janë disa mënyra të efektshme dhe praktike për ta bërë këtë:

Fuqizohuni nga motivet tuaja

Ndonjëherë njerëzit toksikë do t’ju fusin në kurth si ndonjë pre – ju e dini që nuk duhet të dorëzoheni por gjithashtu dini edhe që do të keni pasoja nëse nuk dorëzoheni. Sekreti është që t’i merrni vendimet nga një pozicion ku ju ndiheni më të fuqishëm sesa  të ndiheni të kontrolluar. Në të njëjtën kohë ata duan diçka prej jush dhe do të ketë gjithmonë diçka që ju do të doni prej tyre (edhe nëse është thjesht të shmangni toksicitetin e tyre). Vendosni që atë që ju po bëni, po e bëni për të kontrolluar ata dhe  sjelljen e tyre – jo sepse ju jeni viktimë e manipulimit të tyre. Fuqia personale është çdo gjë që ju bëni, e bëni sepse besoni dhe jo se çfarë do të mendojnë ata.

Kuptoni pse ata po shohin, atë që shohin tek ju

Njerëzit toksikë gjithmonë do të shohin tek të tjerët atë që nuk duan të pranojnë për veten e tyre. Quhet projeksion. Ju mund të jeni personi më zemërgjerë, më bujar, më punëtor në planet dhe njerëzit toksikë do të bëjnë çmos duke u përpjekur t’ju bindin se jeni një gënjeshtar, i padrejtë, i keq apo një dembel. Kuptojeni drejt. Ju e dini të vërtetën, edhe nëse ata kurrë nuk do ta dinë.

Ata mund të përkeqësohen para se t’ju lënë rehat.

Mendojeni kështu. Përfytyroni një fëmijë që e ka kapur zemërimi i çastit. Kur qëndroni të  fortë dhe nuk dorëzoheni, ata do të acarohen edhe pak më tepër për njëfarë kohe. Ne të gjithë kemi një tendencë për ta bërë këtë – kur diçka që po bëjmë nuk po funksionon, do ta shtyjmë edhe pak më shumë para se të ndalemi. Njerëzit toksikë nuk janë ndryshe. Nëse ata kanë gjetur një mënyrë për t’ju kontrolluar dhe manipuluar dhe ajo nuk funksionon, ata do të bëjnë më shumë nga ajo që dikur funksiononte, para se të tërhiqen dhe të gjejnë një objektiv tjetër. Mos e merrni përshkallëzimin e tyre si një shenjë ndalese. Merreni atë si një sinjal që t’i mësoni se ajo sjellje e vjetër nuk do të funksionojë më.

Jini të qartë për kufijtë tuaj

Ju nuk mund t’i kënaqni të gjithë, por njerëzit toksikë do t’ju bëjnë të besoni se nuk mund t’i pëlqeni askujt – kështu që ju përpiqeni më shumë, punoni më shumë, bëni më shumë kompromis. Dhe kjo është rraskapitëse. Njerëzit toksikë do ta shembin kufirin tuaj para se ju ta kuptonit se e kishit një të tillë. Duke ditur saktësisht se çfarë do të toleroni dhe çfarë jo – dhe pse – ju mund të vendosni se sa larg jeni të gatshëm të lejoni që dikush të shkelë kufijtë tuaj para se thjesht të mos ia vlejë më. Bëhuni gati për të dëgjuar atë zë brenda jush që ju sinjalizon kur diçka nuk shkon. Është i fuqishëm dhe rrallëherë gabon (për mos të thënë asnjëherë).  Nëse dikush tjetër mendon se është e drejtë apo e gabuar nuk ka rëndësi. Ajo që ka rëndësi është nëse është e drejtë apo e gabuar për ju.

Juve nuk ju duhet t’i ndihmoni ata në çdo kohë krize 

Arsyeja që njerëzit toksikë janë shpesh në krizë është sepse ata janë mjeshtra në krijimin e tyre. Është tipike për ta – marrin frymë dhe krijojnë dramë. Do t’ju ftojnë në çdo kohë krize për të shprehur simpati, vëmendje dhe mbështetje, por nuk keni pse të vraponi dhe të merrni anën e tyre. Mësojini ata se nuk do të jeni pjesë e mëshirës duke mos shfaqur emocione, vëmendje dhe jini indiferentë ndaj krizës. Mos bëni pyetje dhe mos ofroni ndihmë. Ju mund të ndiheni keq sepse nuk është kjo mënyra juaj e të sjellurit, por mbani mend se nuk keni të bëni me një person normal.

Nuk keni nevojë të shpjegoheni

Jo është një fjali e plotë dhe një nga fjalët më të fuqishme në çdo gjuhë. Nuk keni nevojë të shpjegoheni, justifikoheni apo të shfajësoheni. “Jo- ja” është kujdestari në portën tuaj kryesore që sigurohet se ndotja nga njerëzit toksikë nuk do të depërtojë tek ju.

Mos gjykoni

Jini të kuptueshëm, të dhembshur, të sjellshëm dhe respektues – por pikë së pari për  veten tuaj. Ju mund të refuzoni sjelljen, kërkesat dhe njerëzit pa u shndërruar në dikë me të cilin nuk do të donit të ishit. Forca dhe dhembshuria mund të ekzistojnë bukur së bashku në skajet e kufijve tuaj. Do të jetë gjithmonë më e lehtë të ndiheni mirë kur vendosni një kufi gjithmonë nëse nuk keni lënduar dikë tjetër.

Zotëroni pikat tuaja të forta dhe të dobëta

Ne të gjithë jemi vazhdimisht të çrregullt, të bukur, të shkëlqyer. Pasi të jeni të vetëdijshëm për të metat tuaja, askush nuk mund t’i përdorë ato kundër jush. Njerëzit toksikë do të punojnë shumë për të shfaqur të metat tuaja dhe për të zvogëluar pikat tuaja të forta – kjo është mënyra se si ata marrin fuqinë e tyre. Nëse jeni në gjendje të zotëroni pikat tuaja të forta dhe të dobëta, ajo që ata mendojnë nuk do të ketë rëndësi – sepse do ta dini që pikat tuaja të forta janë më se të mjaftueshme për të bërë që të metat tuaja të mos kenë rëndësi.

Mos prisni ndryshim

Ju nuk mund të arsyetoni me njerëzit toksikë – thjesht nuk mundeni. Kjo është një nga gjërat që i bën ata toksikë. Vendosni se çfarë pozicioni do të mbani, dhe pastaj qëndroni të fortë. Nuk keni nevojë të bëni më shumë se kaq. Ata do të përpiqen t’ju bëjnë të përkuleni dhe të thyheni. Për shkak se ju keni një zemër të hapur, mendimi se dikush mund t’ju keqkuptojë, mund të mos ju miratojë ose që nuk ju pëlqen, mund të ndikojë tek ju, por mbani mend se nuk keni të bëni me dikë që është i motivuar nga ajo që është e mirë për ju ose marrëdhënien tuaj. Gjithmonë ka të bëjë me ta dhe gjithmonë do të jetë kështu. Vendosni që ndonjëherë personi më i rëndësishëm jeni ju. Kjo është ajo që meritoni.

Zgjidhni betejat tuaja me mençuri

Të merresh me njerëzit toksikë kërkon një sasi të madhe energjie. Nuk keni pse të dilni në çdo betejë me ta. Për shumë njerëz toksikë, konflikti është mënyra e vetme që ata mund të krijojnë lidhje. Ёshtë mënyra e tyre për t’u ndierë të gjallë, të rëndësishëm dhe të vihen re. Kurseni energjinë tuaj për njerëz që kanë rëndësi.

 Mos u bëni viktimë

Njerëzit ndonjëherë mund të bëhen për të ardhur keq, por ju nuk jeni nga ata. Vendosni që nuk do të jeni viktimë e askujt. Përkundrazi, jini nga ata njerëz që vendosin kufij, kanë forcë, zgjuarsi dhe fuqi për të marrë vendime që do t’ju ndihmojnë të lulëzoni. Edhe nëse ato janë vendime që nuk preferoni t’i merrni, pranojeni që është një lëvizje që e keni bërë për të marrë atë që dëshironi, në vend që të përkuleni ndaj vullnetit të dikujt tjetër. Ju jeni të mahnitshëm, jeni të fortë dhe të fuqishëm – kjo është arsyeja pse nuk jeni viktima e askujt. E askujt.

Përqendrohuni në zgjidhjen dhe jo në problemin

Njerëzit toksikë do t’ju bëjnë të përkuleni prapa dhe të lidheni me tela me gjemba për t’ju mbajtur atje. Ajo që do t’ju mbajë të bllokuar është të menduarit pa pushim deri në pafundësi për sjelljen e tyre neurotike. Do t’ju mbajë të zemëruar, të trishtuar dhe të pafuqishëm. Nëse duhet të marrësh një vendim që nuk preferon ta marrësh, fokusohu në rrëmujën që po pastron, jo tek personi që po e bën jetën tënde ferr. Mos u përqendroni në sjelljen e tyre negative – nuk ia vlen dhe nuk do të ketë kuptim për ju  sidoqoftë.

 Rrethojeni veten me njerëz që përkushtohen po aq sa ju

Ju mund të mos keni aq liri zgjedhjeje në pjesë të caktuara të jetës tuaj për të vendosur se kush mund të jetë pjesë e jetës tuaj dhe kush jo, por kur bëhet fjalë për ata për të cilët ju i hapni zemrën, keni liri absolute për të zgjedhur. Zgjidhni me mençuri dhe mos kini frikë t’i tregoni se sa të rëndësishëm janë për ju.

Falni – por mos harroni

Falja ka të bëjë me heqjen dorë nga të priturit që gjërat të jenë ndryshe. Ju kurrë nuk do  të jeni në gjendje të kontrolloni të kaluarën, por mund të kontrolloni sa fuqi ka për të ndikuar në të ardhmen tuaj. Falja nuk do të thotë të pranosh sjelljen ose ta miratosh atë – do të thotë që nuk do të kontrollohesh më prej saj. Është motivimi për ta bërë diçka me forcë dhe me një bollëk dashurie për veten. Mos harroni mënyrën se si njerëzit ju  trajtojnë –  për mirë apo për keq – dhe përdoreni atë për t’ju ndihmuar të jetoni me qartësi dhe vendosmëri.

Kuptoni ciklin

Ekziston një model që shumë njerëz toksikë ndjekin. Së pari ata janë simpatikë. Kjo është kur ata depërtojnë tek ju. Ata do të jenë të vëmendshëm, të dashur dhe  mbresëlënës – por e gjithë kjo do të jetë për t’ju ​​vënë në pozitë. Pastaj, kur ata të kenë fituar besimin tuaj, ju do të filloni të shihni çarjet. Do të rriten kërkesat të cilat do të pasojnë me një rritje të burimeve tuaja emocionale. Atëherë do të ketë krizë – provë. Do  të ndiheni të bllokuar – pavarësisht nëse u jepni apo jo atë që duan, do të ndiheni të kompromentuar. Së fundi, ju do të bëni atë që ata duan – sepse ju nuk doni të jeni ‘të paarsyeshëm’ ose të shkaktoni më shumë drama – dhe pastaj ata do të kthehen për t’ju ​​magjepsur dhe për t’ju ​​dhënë mjaftueshëm atë që ju nevojitet për t’ju ​​bërë të qëndroni. Problemi është se kjo nuk zgjat kurrë shumë dhe gjithmonë vjen me një kosto. Jini të vetëdijshëm për ciklin dhe përdoreni atë për të ndërtuar kufijtë tuaj mbi një themel edhe më të fortë. Nëse nuk mund të dilni nga marrëdhënia, dijeni se nuk do të qëndroni sepse e keni lejuar veten të mashtroheni ose të verboheni, por sepse i keni sytë në diçka më të madhe që ju nevojitet.

Nuk keni nevojë për miratimin e tyre. Vërtet, nuk keni

Mos kërkoni miratimin ose vlerësimin e tyre – nuk do ta merrni nëse nuk vjen me kushte, të gjitha këto do t’ju dëmtojnë. Do të ndiheni vazhdimisht të dërrmuar sepse ata do ta zbrazin zemrën tuaj të madhe, bujarinë tuaj emocionale, arsyeshmërinë tuaj, dhembshurinë tuaj dhe humanitetin tuaj – dhe nuk do të japin absolutisht asgjë në këmbim. Jepni atë që nevojitet, por mos jepni më shumë se kaq me shpresën për të marrë diçka mbrapsht. Asnjëherë nuk do të ketë më shumë se minimalja, madje edhe kjo do të vijë me kushte. Çfarëdo që të bëni, ta dini pse po e bëni dhe sigurohuni që arsyet të jenë mjaft të mira.

Bota është e mbushur me njerëz, sjellja e të cilëve është dëmtuese. Kjo nuk do të thotë që ne duhet ta mirëpresim dëmin. Sekreti për të jetuar mirë do të thotë që mos ta marrim jeten për të mirëqenë. Njohja e shenjave të sjelljes toksike dhe reagimi i  duhur dhe i qartë ndaj njerëzve toksikë do të zvogëlojë ndikimin e tyre dhe do t’ju lejojë të mbani veten të shëndetshëm dhe të fuqizuar – dhe ju e meritoni këtë.

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF