KreuArt

Të gjitha gratë e Gazmend Lekës, piktori sjell ekspozitën e tij të parë me krijime nudo!

Nga:Olsi Kolami 

Të gjitha gratë e Gazmend Lekës!
Piktori sjell ekspozitën e tij të parë me krijime nudo “Kaloi një grua”, me emra grash që e bëjnë akoma më kurioz takimin me secilën prej tyre në hollin e galerisë së FAB në kryeqytet.
Nuk mund ta fsheh që ekspozita e fundit e piktorit Gazmend Leka ishte një fllad i ngrohtë gjatë ditëve të nëntorit, përmes pamjeve femërore, krejtësisht të zhveshura me forma të kolme, sensuale dhe ndjellëse. Në mendje kisha zanat e bukura që ushqenin trimat e maleve nga fotot ilustruese të librit “Përralla të moçme shqiptare” të Mitrush Kutelit, por pas një copëze të vogël nudoje që takova në hyrje të galerisë FAB, do të befasohesha me një nudo me përmasa njerëzore, figura femërore që herë të ftojnë të hysh në mjedisin ku kanë pikturuar e pastaj të zhduken, e fanepsen sërish në telajo, madje me fytyrën e profesor Gazmend Lekës, gjithnjë personazh në krijimet e tij, si një dëshmi se ai gjendet aty përtej ngjyrave…!

Publiku shqiptar përballë nudos artistike, gjithmonë ka pasur një ndjesi “përskuqje”, çfarë keni vënë re në ekspozitën tuaj të fundit “Kaloi një grua”?

Ndoshta ky gjykim për publikun shqiptar ka shijen e një paragjykimi. Zë vend më shumë në mentalitetin tonë si një parafabrikat, duke patur parasysh një lloj konservatorizmi të fshehur, që ngre krye herë – herë, kur mbërrin në shtëpinë tonë, por sot nuk është më një dukuri që e bën atë të “përskuqet” siҫ edhe e thua bukur si vëzhgues. Publiku e ka shijuar këtë ekspozitë aq shumë, sa më ka bërë mua të skuqem! Është një publik shumë i dashur dhe kurioz, për të shijuar pikturën e për të mësuar më shumë se ҫfarë ndodh në studion e një piktori kur ndërtohet një ekspozitë, e për më tepër kur kryefjalë është një grua nudo. Nuk e fsheh që janë kuriozë më shumë seҫ duhet, por e tresin përbrenda e kur më pyesin e bëjnë me një të qeshur të lehtë, ndërkohë që sytë u vezullojnë, për të kuptuar diҫka që mendojnë se unë nuk dua t’jua them. Është pak një lloj nuance shqiptare, që e bën karakteristike për një vend të vogël, sikurse jemi ne.

Jam rritur me vizatimet e mrekullueshme të “Përalla të moçme shqiptare”, ku figurat femërore kanë një misticitet magjepsës, a lindën këtu bulzat e para të takimit me gruan si subjekt me nuanca nudo?

Ato vizatime kanë qenë një mbjellje në fillimet e mia. Këtë mbjellje e kam korrur e rikorrur disa herë në vite. Prodhon ende kënaqësi tek të gjithë që e kanë lexuar Mitrushin magjik. Është kënaqësi e madhe kur dëgjoj nga shumë të rinj, qofte edhe studentet e mi, që si edhe ju, i kanë shijuar shumë ato vizatime. Besoj se edhe ty ta kanë plazmuar sadopak imazhin për legjendat shqiptare. Është e vërtetë që ato janë të populluara me figura delikate femërore, motra, nuse të reja, krahas figurave të fuqishme mashkullore të kreshnikëve. Nuk flitet për një sensualizëm tek këto figura që kam vizatuar, e sidomos në atë kohë kur janë krijuar. E kuptoj që ti dëshiron të gjesh një kordon ombelikal mes alfës, kur këto vizatime u ekspozuan për herë të parë dhe omegës, me ekspozitën “Kaloi një grua”, por nuk besoj se do ta gjesh. Sigurisht, që pas kostumeve kombëtare me të cilat i kam veshur, dallohen trajtat femërore, por nuk besoj se ka një joshje, si paradhomë e nuditetit.

Në hyrje të ekzpozitës kishte një vizatim me përmasa të vogla, një ftesë, e cila të befason me të tjerat brenda që kanë madhësinë e një trupi real…!

Atë vizatim të vockël nga përmasat e vendosa në momentet e fundit. Kishte një tjetër uverturë ekspozita, por shtysë u bë pikërisht ky konstatim që kë vënë re ti, kontrastin e thellë mes saj dhe pikturave në dimensione të mëdha. Më pëlqente që publiku të surprizohej. Ai do të priste në tre sallat e galerisë FAB simotrat e saj, në dimension e në teknikë, por ndesheshin me të kundërtën. Është një dukuri që e kanë vënë re, pothuajse të gjithë vizitorët e tjerë. Hynin në ekspozitë me një lloj droje të butë dhe pas pak, përplaseshin me figurat prepotente të nudove, në dimensione reale. Më shijonte ky “kurth”!

“Kaloi një grua” ngjan me një ditar sekret të Gaz Lekës, ku trupave të zhveshur u vendoset një emër, janë thjesht subjekte, apo pikëtakime personale të derdhura në pikturë?

Është vërtet një ditar, por jo sekret. Çdo pikturë apo vizatim, mund ta kisha shoqëruar me një titull tjetër dhe shumë kohë kam tentuar të fusja në sinkron imazhin dhe fjalën, por papritur më erdhi ideja që personazhet e mi t’i pagëzoja, të kishin një emer. Kjo do ta afronte më shumë publikun me to dhe ashtu ndodhi. Dukej sikur mund t’i thërrisje në emër e ato të përgjigjeshin. Gratë kalonin dhe unë i vija emër, sikurse dikur “njeriu i parë” që u vinte emër frymorëve e sendeve që e rrethonin. Nëpërmjet këtij akti, ai i zotronte. Bëhej zot i tyre. Janë emra grash që na rrethojnë në të përditëshmen tonë. Më shijonte kur publiku ndërkohë që veҫonte një vepër nga të tjerat, ma prezantonte atë me emer, si një mikeshë të njohur për të dy. Ishte shumë ngazëllyese!

Sot figura e femrës rend drejt elegancës dhe linjave të përsosura, ju preferoni format e kolme, me volume, si dikur artistët e Rilindjes, janë thjesht modele apo i keni zgjedhur vetë ato?

Një miku im, pasi e pa ekspozitën më pyeti, nëse unë po ndiqja trendin e sotëm në botë për këtë lloj harmonie femërore! Unë në ҫdo intervistë e prezantoja veprën time, larg trendit të sotëm, larg Barbit të dendur me botoks. Ishte një habi për mua, kur mësova të kundërtën, pasi ai më tregoi shumë imazhe në celular, femra me linja të përsosura në formën e tyre të plotë, të kolme e plot gravitet. Nga historia e artit njihen shumë periudha, ku imazhi i femrës gjithmonë është formuluar si kod. Njeriu e për më tepër artisti, që e ka trajtuar si kryefjalë të veprës së tij, ka “shpikur” kodin e bukurisë që ndryshon shumë në kohë e në vende të ndryshme. Shija është ciklike.

Më bëri përshtypje një koment i juaji: trupi i femrës është shpërdoruar, njihet pak, askush nuk e vendos në piedestal – Kjo është arsyeja që ju keni zgjedhur një nudo më të thjeshtëzuar?

Doja të thoja se sot që shoqëria jonë konsiderohet e “hapur”, ka tendencë që të degradojë në një shoqëri të “shqyer”. Konsumizmi mund ta shpërdorojë edhe këtë krijesë të bukur, të butë, delikate e frymëzuese.

Ajo që më bën përshtypje është sesi syri juaj i projekton, shpesh ju futeni në pikturë, pastaj zhdukeni e rishfaqeni me një dorë të zgjatur, ose gjendeni aty përmes një drite, si një partner i padukshëm?

Padyshim që në të gjitha veprat e mia që kam krijuar në vite jam unë, diku pas skene e diku nën dritën e projektorëve. Më pëlqen që kur shfaqem në pikturë, të luaj rolin e dëshmitarit. Më pëlqen të dëshmoj për atë ҫka ndodh rreth meje! Në ekspozitat “Lutja” dhe “Dhoma e hapave të humbur” kam qënë kryefjalë, pasi tentova të shihja thellë në nënshtresat e qenies sime dhe nuk mund ta vendosja këtë meditim të thellë tek një personazh tjetër. Në këtë ekspozitë të fundit e kam shfaqur Gazin vetëm në ambientin e studios sime krahas modeleve. Në dy ambientet e tjera ”dhoma e saj” dhe “dhoma me qera” unë jam prezent, por i padukshëm, sikurse e thua edhe ti.

Brenda çdo pikture nuk është thjesht një grua e zhveshur, por një histori ku gjen detaje të fuqishme të një akti të lënë përgjysmë, dikush ka qenë aty pak më parë, një gotë verë të zbrazët, një çarçaf i zhubrosur…?

Kjo skenë qe ti po formulon, i takon dy pikturave, të titulluara “dhoma me qera”. Janë kryekëput të ndryshme si rekuizitë nga dy llojet e dhomave të tjera, që duken të rregullta e të sistemuara. Në këto dy piktura, ambienti është një kaos. Shtrati i bërë për gjumë e për çlodhje, ështe kthyer si tavolinë pune, me laptop, libër, letra leksionesh e ndonjë shishe vere. Pas kësaj rekuizite, fshihet një teatër, ku luajnë dy personazhe. Mashkulli aty në shtrat, ka aromën e njeriut konsumator të një “shoqërie të shqyer” siç edhe e shkruajta më sipër.

Si e keni ushqyer fantazinë tuaj me këto krijime, janë të gjitha që nisin e mbarojnë brenda 3 viteve të fundit, apo ka elemente që vijnë edhe nga kontakti juaj me nudo nga artistë botërorë? 

Kjo ekspozitë kryesisht është realizuar në vitin 2021, edhe pse disa vizatime mbajnë shenjën e tre viteve të fundit. Kur m’u shfaq si një ekspozitë e plotë, gati braktisa ҫdo gjë dhe u përqendrova në të. Isha si në ethe. Punoja gati gjithë ditën dhe provoja të gjitha llojet e emocioneve, gëzimin, hidhërimin, marrëzinë, mënҫurinë, butësinë, e prepotencën, sepse po ngjizja figurat e mia. Në lidhje me artistët e tjerë, sot kontaktet me atë ҫfarë kryhet në botë, na virusohet nga interneti, por nuk kam patur parasysh askënd. Ajo ҫka unë pikturoj, artikulohet nga gramatika ime pikturale.

“Kaloi një grua” ishte një fllad i nxehtë në këto ditë të ftohta, por pas saj, çfarë projektesh keni?

“Kaloi një grua” është thjesht një grua që kalon. Është një grua që hyn në studion time si një mirazh e më pas zhduket. Zhduket, por lë gjurmë, lë shenjë, lë pikturën time. Mirazhi është tundues. I afrohesh shumë dhe të duket sikur po e prek, por ai zhduket e ti mbetesh me vetminë tënde. Asnjëherë nuk e mbërrin dhe gjithmonë ke etje ta takosh përsëri. Çdo rast i ri, të duket sikur është takimi i fundit. Ndoshta ky mirazh nuk do më ndahet më dhe do bëhet pjesë e projekteve të mia, që tashmë kam filluar t’i ndërtoj. Janë disa tema që më thërrasin t’u kthej kokën. Fillimisht eci kujdesshëm në disa paralele e më pas, kur shoh që një motiv “bërtet” më shumë, merrem me të më gjatë për ta qetësuar. Ndërkohë që po mbyll ekspozitën, po bëhem gati për një fillim të ri. Është refren i përvitshëm.

 

Tags:

Home Art

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF