Një tjetër shqiptare e suksesshme në skenat botërore të muzikës, një vokal i shkëlqyer, por edhe një ikonë e stilit, e lindur në Amerikë, por e frymëzuar nga ADN-ja e dy prindërve artistë…
Ajo ndodhet në shtëpinë e saj në Studio City, Los Angeles. Ka veshur një bluzë të zezë Brandy Melville, fund të shkurtër dhe altlete Converse, një pamje sa sportive dhe feminile. ‘Max Cut’ është tashmë prerja identifikuese e modelit të flokëve bjonde platin, por asaj i pëlqen të mbajë si sot ndonjë beretë elegante franceze. Edhe pse e kanë krahasuar shpesh me Lady Gaga, ato të dyja kanë një sens shumë teatral në skenë dhe u pëlqen të veshin rroba të guximshme. Ata që e kanë ndjekur që nga fillimi, kur fitoi jackpot-in tre vjet më parë me Sweet but Psycho, e dinë se flokët dhe mënyra se si vishet, janë po kaq ndikuese sa edhe muzika e saj. Sot i vjen për të qeshur teksa kujton sesi një ditë, kur ishte ende adoleshente, mori gërshërët dhe preu një paruke bjonde, thjesht sepse mendonte se ashtu mund të ngjante ndryshe. Edhe sot e kësaj dite Ava Max, vijon të ketë të njëjtin stil: flokë bjonde platin me gjatësi përmbi shpatulla, por ndryshe nga asokohe, ajo është kthyer në një yll të vërtetë të muzikës botërore.
Në fillim të vitit 2021 ajo u mbyll në studion e regjistrimit për të punuar në albumin e saj të dytë (sot ende pa titull), ende nuk dëshiron të tregojë asgjë për punën e saj, por thotë se këngët karakterizohen nga dualiteti dhe të bëjnë të kërcesh dhe të qash njëkohësisht. Kënga Every Time I Cry, e publikuar në qershor, lë të kuptohet për tonin emocionues, por edhe personal të asaj që pritet të vijë në të ardhmen. “Do të jenë këngë më emocionuese. Ky album nuk mund të ishte më personal. Flet për marrëdhëniet e dashurisë”, përgjigjet ajo prerë. Sigurisht, edhe për artisten shqiptare, nuk ka asgjë perfekte, ndaj edhe do të ndajë ndjesi krejt normale për këdo. E vërteta është që Ava ka heshtur gjithmonë për temën e dashurisë. “Po jetoj në një moment shumë konfuz”, qesh ajo kur e pyet nëse është ende pa partner. “Le të themi se nuk kam bërë dashuri kohët e fundit. Por ama më pëlqen të dua, të dashuroj e të më duan”. E pranon se nuk e kishte planifikuar të bënte një album kaq personal, por çfarëdo që ka shkruar së fundmi kishte të bënte me atë që po më ndodhte në jetën e saj, kështu që këto janë tekste janë kaq afër saj.
Emri i saj padyshim që ishte një habi për muzikën amerikane, e më gjerë, pasi befas firmosi një kontratë kur ishte vetëm 22 vjeç, ndërsa në 2021 u rendit në listën prestigjioze të artistëve të rinj më të talentuar nën 30 vjeç nga revista 30 të Forbes. Gjithçka duket mbresëlënëse nga larg, por rruga e saj drejt famës nuk ka qenë e lehtë. E ëma, këngëtare operistike dhe i ati pianist, u larguan nga Shqipëria pas rënies së komunizmit në vitin 1991. “Kur erdhën në SHBA me vëllain tim 7-vjeçar, nëna ime ishte shtatzënë me mua”, shpjegon ajo. Ata nuk dinin të flisnin anglisht dhe nuk kishin para, ndaj u duhej të punonin edhe në tre vende në të njëjtën kohë për të ecur përpara”. Ajo lindi në Milwaukee me emrin Amanda Koçi dhe fëmijërinë e kaloi në Virxhinia. “E vërteta është se prindërit e mi sakrifikuan shumë, por sot jam e gatshme t’u jap gjithçka duan. Ata u emocionuan kur mundi t’i blinte familjes një shtëpi në The Valley, jo shumë larg lagjes së Los Anxhelosit ku ajo jeton tani. “Njerëzit më thonë: Duhet të jesh shumë e lumtur, fiton shumë para! Por unë nuk e shoh kështu. Për mua, paratë janë një mënyrë për të ndihmuar të tjerët. Duke parë se si prindërit e mi vuajtën shumë, kjo ka ndikuar në mënyrën se si jam qasur në karrierën time”. Ajo shprehet se tingëllon si klishe, por nuk dorëzohet kurrë. Në qëllimet e saj artistike, kërkon të arrijë gjithçka jo vetëm për veten, por edhe për familjen e saj. Prindërit hoqën dorë nga karriera e tyre për ta parë atë si artiste. Kur Max adoptoi emrin artistik Ava në moshën 14-vjeçare, familja u transferua në Los Angeles për ta ndihmuar në karrierën e saj muzikore ndaj sot përulet me respekt para tyre. Kënga “Who’s Laughing Now” ishte një përgjigje për mënyrën sesi industria e muzikës e kishte trajtuar atë në ditët e para. “Gjatë atyre viteve takova shumë tekstshkrues dhe producentë dhe askush nuk u mërzit të më jepte kohë, por kishte nga ata që qeshën para fytyrës time dhe më thanë: Nuk do t’ia dalësh kurrë. Ishte shumë e vështirë, nuk e mohoj. Nuk e dija nëse do të kisha sukses apo jo, gjithçka që dija ishte se kjo ishte ajo që më pëlqente të bëja”.
Ajo vinte nga një eksperiencë e dhimbshme bullizuese, që lidhej me ndjenjat e një vajze të re. Kujton se
një djalë i kërkoi të dilnin bashkë dhe kur teksa ai u përpoq ta puthte, gjëja që pa, ishte një grup djemsh që shikonin skenën nga dritarja dhe po qeshnin. Ai i kishte thënë: Nuk dua të dal me ty! Ishte një shaka!”. “Kjo më bëri më të fortë. Edhe sot, sa herë qaj, sforcohem pak”. Fillimet nuk ishin aspak të lehta, madje kujton se pas dy vitesh tentativa, pa prekur aspak suksesin, e ëma erdhi dhe i kërkoi të kthehej e të linte pas ëndrrën e saj. Mendoi se bota po fundosej nën këmbët e saj. Nuk pushonte së qari. “Nuk doja të ikja, e dija që kjo ishte shtëpia ime. U mbylla në dhomën time dhe nuk doja të shkoja askund. Ishte një vit i trishtë, por që më maturoi shumë shpejt”. Dy vjet më vonë, Max u kthye në Los Angeles, përsëri në botën e muzikës, ku iu desh të zbulonte anën e errët të kësaj industrie. Pasi gjente një studio, shkruante dhe regjistronte demo për producentët dhe i shpërndante ato kudo.
Pika e saj e kthesës erdhi kur takoi Cirkun kanadez (i cili ka punuar me një mori artistësh, duke përfshirë Rihanna dhe The Weekend) në Chateau Marmont në 2014. Ava ishte duke pirë një pije me të dashurin e saj dhe producentin e saj teksa po festonte ditëlindjen; ajo këndoi në atë ditëlindje dhe pas kësaj historia nisi. “Filluam të punonim bashkë dhe u bëmë miq. Tani ai prodhon punën time dhe është gjithçka për mua. Sa i përket të ardhmes, ajo do të donte të kryesonte një turne botëror dhe të bashkëpunonte me artistë si Rita Ora, Bebe Rexha, Dua Lipa… Së fundmi publikoi një single në bashkëpunim me Charli XCX. Por mbi të gjitha, ajo dëshiron të vazhdojë të shkruajë himne që fuqizojnë të rinjtë: “Ky është qëllimi im numër një. E rëndësishme është të inkurajoj njerëzit. Kur dikush ndez radion dhe më dëgjon ndihen shumë mirë. Periudha e pandemisë ishte tejet e vështirë për Ava: dezinfektonte gjithçka madje edhe ushqimin. “U çmenda – e pranon ajo – Ishte goditje për shëndetin tim mendor, sepse ndryshoi mënyrën e konceptimit të botës dhe më pushtoi pasiguria. E kalova duke pirë shumë ujë dhe duke parë komedi. Postoj një selfie kur zgjohem për t’u ndjerë në tokë. Ditët e tjera, kur nuk ndihem e bukur, krahasohem me vajzat që kanë bërë operacione plastike”, qesh ajo. Instagrami ndonjëherë është si një pus në të cilin zhytemi. Sipas saj, ka shumë xhinde, kjo është arsyeja pse ajo preferon të mos shohë çfarë shkruajnë njerëzit për të dhe të fokusohet në gjërat pozitive: “Unë kam frikë dhe përpiqem të shmang të gjitha negativitetet”. Ajo ndihet e frikësuar por edhe e guximshme, fundja dualiteti sundon botën e Avas.