Pandemina e Covid prej më shumë se dy vitesh vijon që të mbajë në ankth qeveritë botërore. Së fundmi sipas të dhënave të grupuara nga ekspertët britanikë, rezulton se coronavirusi mund të humbasë deri në 90% aftësinë ngjitëse në ajër pas 20 minutash.
Studiuesit britanikë kanë bërë hulumtime rreth aftësisë së virusit që nxirret nga të infektuarit në ajër se sa transmetues është ai krahasuar edhe me kushtet mjedisore veçanërisht me lagështirën.
Për t’u mbrojtur nga marrja e virusit në ajër ato sugjerojnë se është e rëndësishme mbajtja e një maske dhe distanca sociale. “Rreziku më i madh i ekspozimit ndaj virusit është kur dikush është afër dikujt. Kur dikush largohet, jo vetëm që aerosoli hollohet, por ka edhe një virus më pak ngjitës, pasi humbet infektivitetin e tij brenda pak minutash”, ka thënë studiuesi Jonathan Raine i Universitetit të Bristolit.
Ndër të tjera theksohet se një ndikues kryesor për përhapjen e Covid në ajër është lagështia, pasi e mban më gjatë efektivitetin e tij.
Gjithashtu përveç lagështisë që luan një rol kyç, temperatura e ajrit nuk duket se ka ndikuar ndjeshëm në infektueshmërinë e virusit, në kundërshtim me besimin popullor se transmetimi i tij është më i ulët në temperatura të larta.



















