Dukesha e Cornwall-it thuhet se ishte me lot në sy kur takoi ukrainasit në Londër teksa ata flisnin për vuajtjet e shkaktuara nga pushtimi vdekjeprurës rus.
Camilla dhe Princi Charles vizituan Katedralen Katolike të Ukrainës, në Londër, dhe dëgjuan njerëzit nga vendi i goditur nga lufta që tregonin histori tronditëse se si jetët janë copëtuar që kur Vladimir Putin dha urdhrin për të pushtuar, një javë më parë. Ajo i tha gruas së ambasadorit të Ukrainës se “po lutej për ta”, thanë raportet.
Dukesha u përlot duke folur me përfaqësuesit e rreth 70 000 ukrainasve që jetojnë në këtë vend. “Askush nuk mund të mos prekej nga skenat e tmerrshme të ukrainasve që po largoheshin nga shtëpitë e tyre dhe dukesha donte të ndihmonte në çfarëdo mënyre që mundte”, tha zëdhënësi i saj mbrëmjen e kësaj të mërkure.
Charles theksoi gjithashtu shpirtin luftarak të ukrainasve për të mbrojtur vendin e tyre, duke nderuar “trimërinë dhe guximin e tyre të jashtëzakonshëm”, raportoi Daily Mail.
Një krizë humanitare po shpaloset në Ukrainë me Kombet e Bashkuara tani duke thënë se më shumë se një milion refugjatë janë larguar nga vendi që nga fillimi i pushtimit rus një javë më parë. Në kufij ka pasur radhë të gjata me gra dhe fëmijë së bashku me shtetas të huaj që largohen ndërsa burrat e moshës 18 deri në 60 vjeç janë të detyruar të qëndrojnë në vend.




