Administrata e Joe Biden ka gati një paketë sanksionesh kundër ish gjimnastes olimpike, Alina Kabaeva e cila thuhet se ka tre fëmijë me Vladimir Putin. Nëse sanksionet do ta godasin 39 vjecaren, atëherë kjo mund të shënojë një pikë pa kthim për marrëdhëniet SHBA-Rusi, të paktën ato zyrtare.
Alina u zhduk për disa kohë. Thuhet se pak përpara nisjes së ofensivës ruse në Ukrainë, ajo ishte dërguar në Zvicër me fëmijët e saj, në një “chalet” të rrethuar nga telekamera e forcë sigurie. Megjithatë, këtë fundjavë u rishfaq në Moskë në VTB Arena, si “kumbare” e garës kombëtare të gjimnastëve më të rinj rusë, të besuar asaj.
Në fundin e garës, Kabaeva u ftua t`i jepte këshilla atletëve mbi të ardhmen e tyre. Ajo mbajti dhe një fjalim, gjatë të cilit, në njëfarë mënyre e përdori sportin si metaforë për situatën aktuale. “Ajo që po ndodh tani, me përjashtimin e atletëve tanë nga kompeticionet ndërkombëtare, është një prej faqeve më të turpshme të historisë moderne.
Kur vriteshin civilë në Jugosllavi, Irak, Libi e Siri, Perëndimi nuk e kishte problem, dhe nuk sanksionoi kurrë asnjë shtet qe merrte pjesë në shkatërrimin e atyre vendeve”, tha ajo. Të njëjtat fjalë i kishte thënë më përpara Putin, me të cilin emrin i saj lidhet prej vitesh tashmë. Ish atletja ishte cilësuar dikur për shkak të stilit të saj “si gruaja më e lehtë e botës”.



















