Bienalja e 59-të e Artit që hapet në Venecia do të jetë ndryshe: Lufta po lë gjurmë në botën e artit – dhe kjo nuk shihet vetëm në Pavijonin e Ukrainës. Edhe pavijoni i Rusisë në Bienale do të mbetet bosh. Kirill Savçenkov dhe Aleksandra Sukhareva, të cilët do të performonin aty, e kanë anuluar pjesëmarrjen në Venecia. Aleksandra Sukhareva me origjinë ruse shkroi në Facebook: “Nuk ka vend për art kur civilët po vdesin nga goditjet e raketave, kur qytetarët e Ukrainës fshihen në bunkerë, kur protestuesit rusë heshtin”. Kuratori lituanez Raimundas Malasauskas tha se nuk mund të vazhdonte me projektin për shkak të invazionit rus të Ukrainës.
Ashtu si 27 vende të tjera, Rusia ka pavijonin e saj në Giardini, ekspozita kryesore e Bienales, thote DW. Për një kohë të gjatë ishte e pasigurt nëse do të hapej pavijoni i Ukrainës. Por kuratorja Kateryna Khueva dhe artisti ukrainas i lindur në Kharkiv, Pavlo Makov, arritën ta transportonin punimin nga Ukraina në Venecia. Makov arriti të mbërrinte në qytetin lagunor së bashku me nënën e tij 92-vjeçare. Khueva e transportoi instalacionin e tij nga Kharkivi në Itali – një udhëtim gjashtë-ditor, përmes Rumanisë. Ekipi ndodhet në Venecia që prej datës 16 prill.
Makov e sheh veten “jo si artist, por si qytetar”, siç tha ai në një intervistë për televizionin zviceran. Ai nuk përfaqëson një vend në luftë, por simbolizon vitalitetin e kulturës së Ukrainës. Sipas Makovit, instalimi i tij është një shenjë e rraskapitjes së shoqërisë.
Një tjetër risi: Cecilia Alemani është kuratorja e parë italiane që kuron ekspozitën kryesore në Bienalen e Artit. Ekspertja e artit, e cila jeton në Nju Jork, kishte patur më shumë kohë për ekspozitën, që u shty vitin e kaluar për shkak të virusit korona. Pse ka kaq pak ukrainas apo rusë në listën e artistëve të zgjedhur prej saj? Është shumë e thjeshtë: sepse është e pamundur të marrësh parasysh çdo komb, qoftë edhe në një ekspozitë kaq të madhe sa Bienalja, thotë ajo. Alemani ka përzgjedhur vetëm tre pozicione historike të Ukrainës dhe gjithashtu artisten bashkëkohore ruse Zhenya Mahneva. “Fatmirësisht, – thotë Alemani, – askush nuk mendoi ta përjashtonte Mahnevën sepse është ruse!



















