Moderatorja e njohur Luana Vjollca ka publikuar këtë të enjte episodin e dytë të projektit të saj më të ri “Thuaje”.
Episodi titullohet “trauma” dhe moderatorja ka folur për traumën e saj, duke rrëfyer se për 15 vite e kanë përndjekur 5 persona, madje njëri prej tyre ka tentuar të abuzojë seksualisht.
“Përndjekësit më kanë krijuar një lloj traume që është mos ta kem jetën time të lirë, të dal rrugëve të Tiranës e shoqëruar gjithmonë nga një person që më mbron sepse jam e frikësuar, jam e frikësuar sepse kam pasur 5 raste.
5 raste në 15 vite, njëri prej të cilëve nuk është bërë mediatikisht i njohur sepse askush nuk e ka parë, por mua më ka lënë një shenjë, një plagë sepse ishte përtej asaj që një fans do të bënte”, rrëfeu ajo, teksa më tej vijoi,
“Fatmirësisht Zotit nuk ka ndodhur asgjë, por është tentuar që të më…faleminderit Zotit nuk ndodhi asgjë, kam arritur të shpëtoj paq, të iki, të vrapoj, të iki nga situata por domethënë vetëm kur imagjinoj që ka vajza dhe gra që e përjetojnë këtë është…për mua inspirim se sa të forta janë! Unë kalova në një traumë pa e përjetuar dhe ka njerëz që e përjetojnë, është e tmerrshme”.