KreuArt

Intervistë/ Almeda Abazi rrëfehet ekskluzivisht nga Turqia!

Nga: Nada Biraçi

Në një rrëfim të sinqertë Almeda Abazi tregon se edhe një VIP është njësoj si çdo mami tjetër në botë, nga zgjimet në mesnatë tek dedikimi full time ndaj fëmijëve, problemet e paslindjes, emocionet e ndarjes së detyrave prindërore, ndjesitë unike që ka fatin t’i përjetojë vetëm një grua…

Për disa ditë rresht folëm rregullisht me Almedën përmes rrjeteve sociale, u tregua e gatshme për intervistën, sidomos kur i tregova që gjithçka do të kishte në fokus profilin e saj si mama. Nuk e prisja aspak, sepse duke menduar ditën e saj të ngarkuar, aq më tepër si një mama e re dhe me një karrierë të shkëlqyer si ajo e Almedës, më bënte të mendoja se ky komunikim ishte thjesht kortezi. Por bukuroshja shqiptare që prej vitesh jetën e saj e ka ndërtuar në Turqi, me një familje të bukur dhe të shëndetshme, arriti të gjente kohën jo vetëm për t’ju përgjigjur intervistës së Bordo, por edhe t’i dedikonte kohë një editoriali fotografik. Tani jam e bindur se Almeda përveçse një artiste e shkëlqyer me një aureolë bukurie dhe pozitiviteti, ka edhe virtytin e një nëne të admirueshme. Ajo e ka kuptuar edhe pse një mami shumë e re, kënaqësinë e prindërimit, madje duke ndarë detyrat edhe me bashkëshortin e saj Tolga në mirërritjen e Efehan dhe Alina. Në një intervistë të sinqertë të Almeda Abazit, do të zbuloni një artiste, grua dhe mami të përkryer.

Almeda, ju keni dhënë shumë intervista si Almeda aktore apo showgirl, por kësaj here duam të njihemi me Almedën mami. Sa e shijoni këtë epitet?

Në fakt ‘mami Almeda’ ka qenë brenda meje që në moshë shumë të re, sigurisht që bashkohem me faktin që kjo ndjenjë gjendet brenda çdo gjinie femërore, por di që tek unë ka qenë gjithmonë shumë e fortë edhe pse nuk e tregoja shumë. Mund të them që të bëhesha nënë ishte dëshira më e madhe e jetës time. Sigurisht për këtë gjë falenderoj Zotin që më dhuroi dy ëngjëj…dhe uroj që këtë ndjenjë ta provojnë të gjithë ata që dëshirojnë.

Nënat e famshme e bëjnë mëmësinë të duket magjepsëse, e palodhshme, të paktën nga rrjetet sociale.. Për Almedën si ka qene?

Për mendimin tim mëmësia ashtu është, magjepsëse, me vështirësitë po ashtu dhe me lodhjet. Sigurisht që në rrjetet sociale gjithmonë shohim vetëm anën e mirë dhe të bukur të çdo gjëje dhe kjo nuk vlen vetëm për mëmësinë. Jemi mësuar që në rrjetet sociale të shohim shumë jetë të ‘lumtura’ pa asnjë stres dhe pa asnjë hall…, por të gjithë e dimë që jeta nuk është gjithmonë kopsht me lule, siç ashtu dhe të qenit mami apo prind. Për shembull unë dhe tani që po shkruaj këtë intervistë jam pa pikë gjumi sepse mbrëmë kisha djalin dhe vajzën në të njëjtën kohë me temperaturë, por që sigurisht kjo asnjëherë nuk postohet në rrjetet sociale. Megjithatë përpos të gjithave është një lodhje e bukur…

Depresioni ‘post partum’ është një ndër temat që po flitet më shumë nga të famshmit. Ju e keni përjetuar? Nëse po çfarë ju ndihmoi për ta kaluar?

Të tregohem e sinqertë, mbas lindjes së parë e kam përjetuar pak, nuk e di pse, por ndihesha si peshku pa ujë. Më ndryshoi çdo rutinë, më ndryshoi orari i gjumit (gjë shumë e rëndësishme për mua sepse e adhuroj gjumin (Qesh) Kilogramët e tepërta më dukej se s’do t’i hiqja dot më, mendoja se nuk do ja dilja dot të kthehesha më në format e mëparshme, dhënia e gjirit dhe a do mjaftojë, a është i uritur, pse qan… Frika a do ja dilja të bëhesha një nënë e “mirë” për foshnjën time, ankthi dhe frika se mos i ndodh gjë bebit. Mbaj mend nuk flija deri në të gdhirë nga frika se do më zinte gjumi dhe do i ndodhte gjë djalit. Dhe kështu unë me lindjen e parë i bëra një ‘Hello’ panik atakut. Dhe ky paniku akoma vazhdon dhe me sa po shoh nuk do kalojë ndonjëherë. Sa i përket depresionit pas lindjes, kur vajza erdhi në jetë nuk pata më probleme të tilla sepse mendoj se isha “well trained” (e mirë trajnuar) nga e para (Qesh). Tashmë e kisha kuptuar se ne mamat me fëmijët e parë “ekzagjerojmë” në kuptimin e mirë të fjalës, shumë gjëra që mund t’i kalojmë shumë më lehtshëm pasi stresi dhe ankthi i tepërt jo vetëm nënës, por dhe fëmijës nuk i bën mirë. Kot nuk thonë: jeto dhe mëso!

Ju jeni të dy prindër të famshëm. Sa e vështirë është për ju t’i mbani fëmijët larg famës?

Jam munduar në fillim t’i mbaj larg por e kuptova që ishte pothuajse e pamundur pasi Efehan dhe Alina tani po përfliten më shumë se ne.

Si reagon djali dhe vajza kur sheh babain apo ju në televizor?

Janë mësuar që në fillim kështu që nuk ‘reagojnë’ më. Me sa kuptoj e marrin si një gjë shumë normale dhe mendojnë se çdo njeri mund të dalë në televizor.

A ju ndihmon bashkëshorti me rritjen dhe përkujdesjen e fëmijëve? Si i ndani detyrat?

Tolga më ka ndihmuar shumë me të dyja lindjet duke më qëndruar pranë për aq sa ka pasur mundësi por sigurisht me aq sa mund të të ndihmojë një babi (Qesh). Ai shumicën e kohës është i zënë me punët e tij.

Ajo çfarë po bëhet gjithmonë e më e vështirë për një grua është balanca mes karrierës dhe familjes. Ju keni zgjedhur t’i përkushtoheni më shumë familjes.

Në fakt me 1 vit pauzë mund t’i bëja të dyja në të njëjtën kohë, por unë pa bërë fare pushim, bëra fëmijën e dytë (Qesh), prandaj sigurisht që automatikisht ju përkushtova familjes më shumë. Tani po e marr veten dhe jam gati t’i fokusohem sërish karrierës.

Si është një ditë e juaja tani me dy fëmijë?

Zgjohem në orën 8 të mëngjesit (duke mos llogaritur dhe zgjimet e natës). Shoqëroj Efehan në shkollë ndërkohë që Alina ha mëngjesin. Kthehem marr Alinën e çoj në parkun e lodrave që ndodhet në bllokun ku jetojmë, me atë rast bëj dhe ecjen time. Kthehem marr Efehan nga shkolla dhe pasi i siguroj të dy në shtëpi, atëherë dal dhe mbaroj punët që kam jashtë shtëpisë. Pa e zgjatur shumë me punët larg fëmijëve sepse mendja më rri gjithmonë tek ata.

Ju vetë si e kujtoni Almedën fëmijë; ngjan Efehan dhe Alina me ju? A shihni tek ata tipare të karakterit të Almedës së vogël?

Më shumë shoh tipare të fytyrës se sa të karakterit, sepse i kam të dy fëmijët shumë hiperaktivë dhe ndryshe nga “Almeda e vogël” mund të them, por janë shumë të vegjël dhe sigurisht që nuk janë formuar akoma në karakter, thjesht di që unë kam qenë gjithmonë shumë fëmijë i qetë dhe e turpshme ndryshe nga fëmijët e mi.

Kanë mundur ata të bëhen ‘komandantët’ në shtëpi, apo keni zgjedhur të jeni një mami që vini rregulla?

Le të themi që po mundohem të vë rregulla, jemi në mundim e sipër pasi siç ju thashë pak më sipër ky brezi i ri po vjen fuqishëm, nuk duan të dinë më për rregulla. Por sigurisht nuk heqim dorë nga rregullat të dashura Mama.

Jeni mami që i llaston fëmijët me dhurata sa herë të duan ata, apo vendosni limite?

Vendos limite! Para se të shkojmë në dyqanin për të blerë dhuratën i vë kusht që mund të blejë vetëm 1 lodër dhe fatmirësisht Efehan ma dëgjon fjalën pa këmbëngulur (ndoshta sepse këtë kusht ja kam vënë që në moshë shumë të vogël) dhe të mos harrojmë që sado që fëmijët shumicën e rasteve mund të këmbëngulin mos të bëjnë atë që prindi kërkon, atyre i pëlqejnë rregullat, disiplina dhe oraret, prandaj sugjeroj t’i zbatojmë.

Thuhet se vajzat ngjajnë shumë me nënat e tyre në prindërim; ju shihni tek vetja sjellje të nënës tuaj?

Shumë!

Çfarë ju ka mësuar mëmësia?

Durim (qesh)

Çfarë gjuhe flisni në shtëpinë tuaj?

Shqip-Turqisht

Nëse do të kishte një projekt që do t’ju rikthente në ekranin shqiptar, cili do të qe ai?

Ekrani sigurisht më mungon shumë, por ekrani shqiptar akoma më shumë të jem e sinqertë. Ngrohtësia që më jep vendi im eshte e pakrahasueshme…! Hmm, nuk e kisha menduar çfarë do të dëshiroja të ishte, por tani që e mendoj ndoshta një program në lidhje me nënat shqiptare (qesh)

Çfarë ju mungon më shumë nga Shqipëria?

Fëmijëria…, babi…, gjyshi…!

Gjithmonë në formë të mirë fizike dhe njësoj e hijshme në portret; si kujdeseni ju për veten? 

Faleminderit! Normalisht nuk është e lehtë, por mundohem të balancoj ditën që e teproj me kalori të tepërta të nesërmen bëj detoks ose dietë të shëndetshme, sigurisht ecje dhe fitness kur gjej mundësinë dhe kohën.

A ka Almeda pasiguri në fizikun e saj?

Patjetër që po, sidomos kur kam disa kilogramë të tepërt menjëherë mundohem të kthehem tek pesha ideale sepse e di shumë mirë që është diçka që nuk më bën të ndihem mirë dhe do të ndikojë në gjendjen time emocionale. Një trup i shëndetshëm është baraz me një mendje të shëndetshme (qesh)

Almeda, dua të kthehemi pak në kohë pas tek ti. Ti je e para shqiptare me një karrierë tejet të suksesshme televizive në Turqi. Sot, kur kujton fillesat e tua e besoje se do të arrijë këtu?

Kam punuar shumë të arrij aty ku jam sot, dhe pse mund të duket e thjeshtë në sytë e shumë njerëzve, kam rastisur të dëgjoj shpesh që në “botën e televizionit” njerëzit mendojnë se mjafton të dukesh 1-2 herë në televizion dhe çdo gjë është okay mund të arrish gjithçka, por nuk është aspak ashtu…, duhet të punosh shumë e më shumë.

Në sytë e publikut “Surviver” dukej një sfidë, që jo të gjithë mund ta kalojnë? Ka pasur momente të vështira për ty atje? Momente, që ke dashur të dorëzohesh?

Është një nga programet “gara” më e vështirë në botë… sigurisht që shumë herë kam dashur të dorëzohem por ishte një eksperiencë e paharrueshme.

E ke menduar ndonjëherë që të kesh një shtëpi me Tolga dhe dy fëmijët e tu në Shqipëri?

Sigurisht, dhe mund të them që e kemi vendosur dhe shumë shpejt do e kemi sepse dhe Tolga e pëlqen shumë Shqipërinë dhe ndihet shumë i lumtur dhe komod atje (qesh). Ëndrra ime është që muajt e verës t’i kaloj në Shqipëri me fëmijët sepse dua shumë që t’i rris me traditat dhe gjuhën shqipe.

Çfarë i pëlqen në fakt Tolgës në Shqipëri?

Padyshim njerëzit me sjelljen e ngrohtë, bregdeti dhe faktin që mund të ecësh në Tiranë për të shkuar kudo, gjë që është e pamundur në Stamboll sepse është super i madh dhe pa mjet transportues shumë vështirë.

Po nga gatimet shqiptare pëlqen ndonjë? Ti gatuan për të?

Pëlqen shumë ushqimet që gatuan mami im! Sidomos byrekun me mish dhe tavën e kosit.

Cila është arsyeja e zënkave në çiftin tuaj? Zakonisht sa zgjat mëria dhe cili e bën hapin i pari drejt pajtimit?

Në fakt ne të dy ngjajmë shumë në karakter, në fillim e vuajtëm pak këtë pjesë sepse ishim të dy kokëfortë, por me kalimin e kohës e kuptova që njeri nga ne ose të dy nga pak duhet t’i hapim rrugë njëri-tjetrit. Kemi një gjë të mirë që të dy e dimë shumë mirë limitin e njëri-tjetrit prandaj të dy mundohemi të frenojmë në mënyrë që mos t’i afrohemi limiteve.

E kishe ëndërruar jetën që po jeton? Në fëmijërinë tënde i kujton vështirësitë ekonomike që kishin pothuajse të gjithë shqiptarët aso kohe?

Sigurisht që i kujtoj, ato vështirësi më kanë bërë të eci përpara dhe të punoj shumë të jem këtu ku jam sot. Je një grua e lumtur? Cili është definicioni yt për lumturinë?

Jam një grua e lumtur me plot gojën sepse pothuajse i arrita të gjitha ato që doja përpara moshës 30. Zoti më dhuroi dy ëngjëj dhe kjo është lumturia ime më e madhe

A ke një ëndërr tani në sirtar, apo ndihesh e realizuar?

Dua vetëm shëndet, shëndet për fëmijët, familjen dhe gjithë botën sepse shëndeti gjithmonë ka qenë kryesorja por në këto 2-3 vitet e fundit me pandeminë kuptuam më mirë sa i rëndësishëm është shëndeti.

Fotographer: Jiyan Kızılboğa
Stylist: Gülcan Ince
MakeUp : Aynur Kabak
Hair: The Most Cadde, Ünal Demir, Alişan Çınar

Tags:

Home Art

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF