KreuArt

Mont Saint- Michel destinacioni i përsosur i Francës.

Nga: Edlina Losha

Një vizitë në ishullin Mont Saint- Michel është një zgjedhje fantastike për një parizien, psh. Nga Parisi organizohen guida turistike një ditore për tek ky ishull, duke qenë vetëm 314 km larg tij. Veçanërisht kur koha është e bukur dhe udhëtimi planifikohet në stinën e pranverës apo verës kur dita është shumë e gjatë dhe dielli perëndon vonë! Për ne shqiptarët është pak larg. Sidoqoftë për atë që dëshiron ta vizitojë, kurrsesi asgjë nuk është larg! Flas më shumë për adhuruesit e destinacioneve. Sepse ky ishull në vetvete është një destinacion.

I quajtur dikur “Mont-Tombe”, u bë i njohur si “Saint-Michel“ kur në shekullin e 8-të, peshkopi Shën Aubert kishte parë tre herë rrjesht në ëndërr shenjtin Saint-Michel dhe i nxitur nga kjo, ngriti aty një kishë të vogël. Mirëpo shumë shpejt ajo u kthye në qendër pelegrinazhi dhe në ‘966 u ndërtua një katedrale madhështore me pamjen unike (i cili ka marrë pjesë edhe tek realizimi i filmit të Harry Poter). Ishulli ka pasur edhe emra të tjerë gjatë shekujve, si psh:”Mont Saint-Michel në rrezik të detit“, etj…dhe gjithashtu mbart në vetvete histori të pasur dhe të larmishme dhe pamja e bukur e tij e bën vendin e tretë më të vizituar të Francës.

Me një popullsi prej 33 banoresh, në fakt ishulli mirëpret rreth 2.5 milionë turistë në vit. Ndaj planifikimi për të vajtur aty duhet bërë me mençuri! Koha më e mirë për të vizituar ishullin është nga Marsi në Tetor, por Korriku dhe Gushti janë plot me fluks turistësh; të shkosh atje në këta dy muaj nuk është zgjedhja e duhur!

Vizitën time në ishull e planifikova javën e dytë të Majit! Stina më fantastike për të shijuar këtë vend kaq unik dhe mbresëlënës. Turistët më së shumti ishin nxënës shkollash që me rininë dhe gjallërinë e tyre e shtonin alegrinë në ishull! Zakonisht turistët  që vizitojnë ishullin, pasi bëjnë xhirot e tyre në fshat, katedralen, kishën, plazhin (edhe atë të krokodilëve), dhe rrethinat, ata më së shumti largohen. Meqë ne vinim prej shumë larg dhe na ishin dashur mijëra kilometra për të ardhur në këtë ishull, kisha prenotuar hotel dhe ta kesh të gjithë ishullin vetëm për vete në darkë, kjo është një tjetër kënaqësi, që unë si një turiste që nuk do mund të vija shpesh këtu, ia rezervova vetes si privilegj.  Ky ishull ka edhe një të veçantë tjetër, që e bën edhe më shumë unik në llojin e vet, ajo është “La Mere Poulard” që në fakt shërben omëletën më të famshme në botë, një kombinim me gjalpë qe e nxjerr vezën edhe të pjekur nga jashtë (në flakë), por edhe të lëngshme nga brenda. Dhe kjo omëletë nuk është nga ato që rekomandohen për mëngjes! Ajo shërbehet si vakt kryesor në drekë ose në darkë. Sepse presupozohet të jetë omëleta më e mirë në Botë, njeriu duhet të përgatitet të paguajë 28 Euro për të ngrënë një të tillë, por duke e rezervuar më parë tavolinën. Përndryshe mund të provojë krepat sepse edhe ata janë shumë të shijshëm dhe kushtojnë 10 Euro.

Për turistët francezë këshillohet “pikniku“ për të shmangur radhët e gjata dhe lodhjen e tepërt, ndërkohë që dritaret dhe dyert tek punishtja e vogël e “La mere Poulard“ janë gjithmonë të hapura dhe shefi aty demostron sesi i “rreh“ vezët në mënyrë ritmike dhe pastaj e hedh në zjarr në një tigan ku ka shkrirë gjalpë! Ja që gjërat e vogla krijojnë gjëra të mëdha siç janë fama dhe popullariteti i omëletës së Mont Saint- Michel!

Pasi qëllon të jesh me fat dhe të provosh omëleten e famshme, në dyqanet e shumta të fshatit në ishull mund të blesh suvenire kujtimi, por asnjëherë nuk duhet të largohesh pa blerë edhe një shishe “Calvados”, konjaku i malit apo biskotat me qumësht dhe karamelet.
Ndër destinacionet që kam parë ndonjëherë, Mont Saint- Michel të lë pa fjalë! Një shprehje thotë: “Vizitoni Mont Saint-Michel.  Provoni dhe omëletën!

Tags:

Home Art

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF