KreuBusull

Intervistë/ Tanja Porja: Në sfidë me natyrën!

Dr.Tanja Porja, Producente-A2CNN
Nga Nada Biraçi
Fotografia: Leo Arapaj 

Ndonëse periudha më e dashur për Tanjën është nëntori kryeneç me shira e stuhi, vetë ajo është solare si një ditë me diell. Tanja Porja, emri dhe portreti ikonik i parashikimit të motit prej mëse dy dekadash vjen këtë numër në Bordo në një rrëfim ndryshe, duke na njohur me zonjën që qëndron pas ekranit. 

Dita juaj fillon herët, a kthehet në rutinë dalja çdo mëngjes në ekranin e A2CNN?

Zgjimi në ora 5 të mëngjesit është i vështirë por prej vitesh,  shikuesit presin motin nga unë që të dalin nga shtëpitë e tyre. Kjo më “zgjon” dhe sapo ndizet drita e kuqe e kamerës, me stuhi apo mot i mirë,  unë kaloj në statusin “action”.

Kur jemi të vegjël ndërsa shpesh na e bëjnë pyetjen ‘Çfarë do të bëhesh kur të rritesh’- meteorologe nuk  është një përgjigje që e hasim shpesh. Ju si i jeni përgjigjur kësaj pyetje në vegjëlinë tuaj?

Nuk e mbaj mend mirë çfarë kam dashur shumë herët të bëhem, kam ndërruar shpesh mendje. Kam dashur të bëhem stiliste, mbaj mend që modifikoja rrobat e të rriturve, i prisja e i qepja sërish. Duke iu afruar adoleshencës, doja të bëhesha astronaute dhe këtu ka mjaft lidhje me profesionin që kam. Në një kohë të shkurtër, kam provuar të shkruaj prozë e poezi por sot, nuk di ku kanë përfunduar ato blloqe shënimesh.

Dhe si ndodhi që zgjodhët këtë profesion? 

Unë doja historinë, më pëlqente dhe ende më pëlqen analiza e fakteve. Por prindërit më nxitën drejt Fizikës, sipas tyre një nxënëse shumë e mirë duhet të sfidojë veten në profesione të vështira dhe kështu u gjenda duke studiuar Fizikë Teorike. Pas 5 vitesh studim, zgjodha të fokusohen në Fizikën e Atmosferës dhe Mjedisit duke vijuar studime pas-universitare dhe duke u certifikuar në disa Universitete e Qendra Europiane të Klimës e Mjedisit. Ka qenë i vështirë cikli i zhvillimit profesional duke konsideruar kushtet shqiptare por sot, e dua pafund profesionin tim dhe do e zgjidhja në 100 jetë të tjera po të kisha….\

Duket se ky profesion është pjesë e familjes duke qenë se edhe motra juaj, Lajda është po ashtu meteorologe. Do të donit t’ja trashëgonit edhe fëmijëve këtë profesion?

Po, është bërë pjesë e familjes, unë veprova me motrën si prindërit me mua. Duke ia ditur kapacitetet dhe duke transmetuar dashurinë që kam për këtë profesion, sot jemi kolege shumë të mira. Punojmë bashkë, shkojmë bashkë në konferenca dhe botojmë artikujt po bashkë ndërsa si motra, unë jam motra e madhe por nuk ushtroj autoritetin e së madhes. Lajda është një këshilltare shumë e ngushtë për mua dhe jemi bashkë në punë, në fundjava dhe pushime madje, kemi gjithmonë diçka për të biseduar çdo ditë në telefon. Ndërsa për vajzat, jo! Nuk mendoj se do trashëgoj profesionin te binjaket e mia, ky profesion kërkon shumë përkushtim dhe gjatë gjithë jetës duhet të studiosh e punosh njëkohësisht. Si nënë, më dhimbsen t’i orientoj drejt profesioneve të vështira, ato duhet të zgjedhin çfarë duan të bëjnë në jetën e tyre dhe unë do u jem krah….

Si pedagoge a mund të na thoni nëse meteorologjia ka interes tek studentët tuaj?

Meteorologjia, specifikisht, nuk është një degë që bëhet në shkollat shqiptare. Më është dashur që 8 vitet e para të punës, të studioj dhe trajnohem në shkolla dhe qendra kërkimore të Europës specifike për atmosferën dhe mjedisin. Është një degë shumë e mirë dhe në botë preferohet shumë nga studentë të një niveli të lartë sepse është shkencë e vështirë. Në Shqipëri, tregu është shumë i limituar për fizikanët në përgjithësi dhe akoma më tepër për meteorologët, si në shumë drejtime të tjera të shkencave të vështira. Studentët e mi e pëlqejnë shumë ose unë ua bëj lëndën të dashur por në ditët e sotme, përgjithësisht shkencat e vështira nuk po preferohen më.

Sa të dhëna shikoni kur zhvilloni parashikimin e motit për një ditë? 

Së pari, çdo ditë të duket si dita e parë e punës. Ndërsa, të dhënat që shohim janë shumë. Janë qindra të dhëna dhe disa herë brenda një dite dhe e thënë shkurt, mblidhen këto qindra të dhëna nga terreni, kontrollohet saktësia e tyre dhe hidhen në sistemin llogaritës ku integrohen në mijëra formula e ekuacione për të prodhuar hartat e motit, tekstin e motit për një ditë. Edhe sot pas 22 vitesh eksperiencë, ka ngjarje atmosferike që të lënë më gojë hapur, atmosfera i bindet Teorisë së Kaosit dhe mua më del detyrë që në 20-30 minuta t’a zgjidh këtë kaos. Ja, kaq e thjeshtë është puna ime të them se sot është diell apo shi…

Gjatë eksperiencës tuaj si është përmirësuar teknologjia me kalimin e viteve për një parashikim të saktë të motit? Si i kujtoni fillimet tuaja?

Sot, teknologjia dhe njohja e atmosferës janë në nivelet më të larta. Shkenca po punon për të bërë planetin Mars të jetueshëm ndërsa toka, uji dhe ajri janë qartësisht të parametrizuar. Në zhvillimet e sotme, parashikimet meteorologjike disa ditore kanë gabueshmëri të pandjeshme ndërsa parashikimet mujore, stinore apo disa vjeçare për elementët kryesorë të klimës projektojnë mjaft saktë atë çfarë do të sjellë e ardhmja. Por nuk mbetet këtu shkenca dhe teknologjia në këtë drejtim, në qendrat e mëdha të kërkimeve klimatike dhe mjedisore, super-kompiuterat kryejnë miliarda llogaritje dhe prodhojnë tendencën klimatike globale për shekullin tjetër.

Sa për fillimet e mia para dy dekadave, nuk do doja t’i kujtoj sepse kanë qenë shumë të vështira por unë nuk hoqa dorë, nuk jam njeri që tërhiqem. Sot, në shoqërinë globale ka lindur një gjeneratë tjetër, edhe në Shqipëri qasja me studimin, profesionin dhe jetën në tërësi është shumë më e lehtë. Megjithatë, unë kam studiuar dhe punuar fort dhe nuk më vjen keq për vështirësitë që kam kaluar.

Dimë që ky muaj është i preferuari juaj. Por pse? 

Më pëlqen shiu, rrebeshet e nëntorit. Unë studimet e mia në stuhitë e fuqishme i kam fokusuar, stuhitë, rrebeshet dhe përmbytjet më kanë bërë kjo që jam sot. Më është bërë sëmundje profesionale mbase?! Kur afron nëntori, adrenalina ngjitet në maksimum në pritje të stuhive të Atlantikut apo Mesdheut sepse çdo stuhi është ndryshe, ose të paktën sillet krejt ndryshe në vende të ndryshme. Shpesh, kur ti mendon se këtë stuhi e njeh, e ke hasur disa herë në jetën tënde por ajo krejt papritur, merr tjetër formë dhe ashpërsi dhe ti e nis studimin e saj nga e para. Kjo është një sfidë e përhershme mes meteorologut dhe natyrës, nëntori është plot me sfida dhe do vijojë përballja deri në fund…

A ka një stinë të vitit që është më e lehtë apo më e vështirë për t’u parashikuar?

Çdo meteorolog ka pikat e tij të forta dhe të dobëta. Unë vjeshtën dhe dimrin i dua sepse i kam studiuar më shumë por më të lehtë, stinën e verës kam në parashikim. Vijon vera të jetë tipike mesdhetare, nuk ka shumë kapërcime nga ngjarja në ngjarje, ndërsa pranvera herë i bashkëngjitet dimrit dhe herë vjen me tiparet e stinës së verës.

Si emër i njohur i meteorologjisë, me siguri pyetjet rreth motit edhe nga njerëz të panjohur janë të pashmangshme.

Njerëzit më njohin dhe vetëm nga zëri, më shkruajnë, më telefonojnë dhe unë gjithmonë u përgjigjem. Unë ndjej që njerëzit më duan shumë….

Me parashikimin tim të motit, janë celebruar qindra çifte, janë festuar ditëlindje, janë organizuar kampionate sportesh të ndryshme dhe ceremoni zyrtare. Për zemër, kam të panjohurit në rrugë që më falenderojnë dhe kjo është ajo çfarë kam kërkuar me punën time.

A mund të na bëni një parashikim të muajit Nëntor dhe dimrit për këtë vit në vendin tonë? Për çfarë duhet të jemi të përgatitur? 

Nëntori 2022, nga pikëpamja e temperaturave të ajrit do të jetë në normalitetin e tij termik duke veçuar dy periudha 3-4 ditore më të ftohta se normaliteti i nëntorit, të cilat mund të shpejtojnë shfaqjen e dëborës në zonat malore shqiptare. Nga pikëpamja e reshjeve, sikundër ka ndodhur në shtator-tetor, reshjet do të fokusohen kryesisht në veriperëndim dhe ultësirën perëndimore të vendit. Ndërsa ky dimër, megjithëse herët për ta parashikuar, pritet të fillojë i butë me reshje të bollshme në mes-stine por, ka sinjale të forta për tejzgjatje të dimrit në drejtim të muajve mars apo prill.

Botuar në BORDO, Nëntor 2022!

 

Tags:

Home

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF