KreuBusull

Një trajnere personale si Klodiana Shala! Ndan eksperiencën e saj me Bordo!

Nga Anita Aliaj

Trupi është shtëpia jonë e përhershme në këtë jetë, ndaj kujdesi që duhet të tregojmë për të duhet të jetë i jashtëzakonshëm.. Edhe pse kohët e fundit një pjesë e madhe e shoqërisë sonë është ndërgjegjësuar, duke i kushtuar më shumë kohë dhe vëmendje, sërish ka ende shumë punë.. Nëse ka një model frymëzimi mund të themi pa frikë se ajo është sportistja e njohur Klodiana Shala, e cila prej vitesh është edhe një trajnere personale. Në një intervistë për “Bordo”, Klodi ndau eksperiencën e saj, vështirësitë me të cilat haset ajo dhe klientët e saj, teksa na njohu më tepër edhe me përditshmërinë dhe programet që ndjek..

Mendojmë se pjesën më të madhe të ditës e kaloni duke u marrë me sport, sa e vërtetë është kjo? Mund të ndani me ne përditshmërinë tuaj?

E sigurt është që pjesën më të madhe të ditës ua kushtoj klientëve, por sporti ka qenë dhe është pjesë e pandarë e jetës sime. Është për shkak të sportit dhe disiplinës sime që unë kam mundur të arrij majat në fushën time. Përditshmëria ime nuk është shumë e komplikuar, megjithatë është shumë intensive. Një trajner personal duhet të ndjekë klientët e vet, të takojë njerëz, të mësojë për teknikat e reja të stërvitjes, pasi kjo është një fushë në zhvillim të përhershëm. Nga natyra jam e shoqërueshme, më pëlqen të takoj njerëz, por më pëlqen të kaloj kohë edhe në shtëpi, kur mundem. Miqtë më thërrasin me shaka “chef”, meqë u pëlqejnë shumë gatimet e mia, të cilat i bëj me shumë dashuri. Në fakt, jam mësuar që me shumë dashuri të bëj gjithçka, në punë, në shoqëri dhe në familje.

Padiskutim një trajnere personale e suksesshme, çfarë përfshijnë programet tuaja?

Një pjesë e rëndësishme e kohës si trajnere personale shkon për përgatitjen e programeve të klientëve. Normalisht, programet bazohen në nevojat dhe mundësitë fizike të klientëve. Fillimisht, unë dëgjoj çfarë qëllimi kërkon të arrijë dikush me stërvitjen, shoh disa analiza mjekësore për të kuptuar parametrat fizikë të klientit, çfarë dëmtimesh fizike apo kufizime të tjera mund të ketë dhe në fund hartoj programin që i përshtatet. Programet janë ushtrime force me llastiqe, peshën e trupit ose vegla, kardio të cilat trajtojnë të gjitha pjesët e turpit. Për fat të mirë, ngjitur me palestrën, kemi dhe pishinën, e cila më jep mundësi ekstra për programe të tjera, që u shërbejnë veçanërisht njerëzve me mbipeshë apo ndonjë dëmtim fizik. Megjithatë, këshilla ime e pandarë për të gjithë është kujdesi me regjimin ushqimor. Programet e stërvitjes bëjnë mrekulli me trupin e njeriut, kur ai kujdeset për ushqimin.

Sa e vështirë është të kesh trajnere personale Klodi Shalën?

Nëse ndjek profilet e çunave dhe gocave që stërvis, kuptohet lehtë kimia mes nesh. Gjatë stërvitjes, përfshihem e gjitha që klienti të marrë 100% përfitime nga programi. A do të thotë kjo lodhje, djersë, mundim? Patjetër! A është kjo e vështirë! E lehtë nuk është, por përvoja si kampione më ka mësuar një mësim të vlefshëm: Nuk ka asgjë të vështirë, kur e vendos se do ta çosh deri në fund diçka që ke nisur dhe të shërben ty dhe vetëm ty.

Cila është pika juaj e fortë?

Si sportiste dhe si trajnere personale e them pa u menduar fare se disiplina, motivimi dhe të qenit miqësore janë pikat e mia të forta. Është pak e vështirë të flasësh për veten, por miqtë vlerësojnë tek unë dhe pasionin që më ka karakterizuar në çdo punë timen, që kur i vura vetes qëllim të fitoj titullin kampione deri më sot.

Vëshirësia më e madhe në punën tuaj kush është?

Personalisht nuk shoh vështirësi, pasi shqiptarët po edukohen gjithnjë e më shumë me rëndësinë jetike të një trupi të stërvitur mirë. Ajo që shoh si problematike është mungesa e profesionistëve të vërtetë në këtë fushë. Kujtohuni se kushdo që ju premton se do të keni një trup revistash për pak javë, nuk po ju thotë të vërtetën. Për të patur fizik të fortë dhe të shëndetshëm duhet punë e vazhdueshme me profesionistë të vërtetë.

Për të gjithë ata që nuk e dinë, ku dhe si mund të bëhen pjesë e programeve të Klodi Shalës?

Është shumë e thjeshtë. E thashë që në fillim që më pëlqen te takoj njerëz. Kjo do të thotë se jam shumë e komunikueshme, ruaj kontakte personale me këdo që më shkruan në rrjetet sociale dhe kërkon ndihmën apo mbështetjen time profesionale. Përveçse në Facebook, Instagram apo Tik Tok, një pjesë të mirë të kohës unë gjendem në palestrën moderne të MAK hotel, ish-Sheratoni, pranë Liqenit Artificial. Përveç palestrës, kemi fatin të përdorim dhe pishinën shumë të mirë, si dhe pistën e stërvistjes te Parku i Liqenit.

Tags:

Home

Bordo No.64
Nëntor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF