Shkurti është muaji im i preferuar i lëvizjeve. Rastësia (dhe jo dëshira që domosdoshmërisht të jem diku këtë datë), më ka bërë që të gjendem nëpër cepa të ndryshëm të botës, dhe kam parë vende ku 14 Shkurti, dita e të dashuruarve, ka qenë një “festë”, ashtu sikundër edhe vende ku nuk vihej re fare. Por të kaluarit e kësaj dite në Verona është komplet tjetër gjë. Ne qytetin më të madh të historisë së dashurisë, atje ku dashuria merr tjetër simbolikë, atje ku u bë e pavdekshme, është e pamundur të mos bëhesh pjesë e magjisë! Verona është qyteti i dashurisë. Me historinë e Romeos dhe Zhulietës, Shekspiri e bëri këtë legjendë të pavdekshme, duke e vendosur atë pikërisht në Verona.
Vetë Uilliam Shekspir në të vërtetë nuk e vizitoi kurrë Veronën, por ai do të jetë përgjithmonë sinonim i këtij qyteti italian. Prej shumë kohësh pelegrinë të shumtë e vizitojnë atë, por vetëm në fillim të shekullit të 20-të, vetë Verona i vendosi dashnorët e kryqëzuar në qendër të industrisë së saj të turizmit duke i bashkangjitur vende të tilla, si Ballkoni dhe Varri i Zhulietës. Teksa shkon për te “Ballkoni i Zhulietës“, dhe kalon “tunelin e dashurisë”, sheh të “stampuar” me qindra e qindra emra të dashuruarish, të cilët e kanë konsideruar si të shenjtë e fatsjellës në jetën e tyre dashurore shkrimin e emrave nëpër mure; për të gozhduar e bërë të pavdekshme dashurinë e tyre, jo si historia në fakt tragjike e dy të rinjve të legjendës, por si jehona, bukuria dhe kujtimi i saj i paharruar nëpër shekuj.
Në fakt ndërtesa daton nga shekulli i 12-të. Në vitin 1905 shtëpia u ble nga qyteti i Veronës. Ballkoni i përket të quajtures “La Casa di Giulietta”, ose “Shtëpia e Zhulietës”, ish-shtëpia e familjes Cappello dhe frymëzimi për Kapuletët.
Kur bëhet fjalë për romancën, disa duket se preferojnë më tepër fantazinë sesa realitetin. Shtëpia e Zhulietës në Verona është përherë e mbushur me turma të mëdha njerëzish nga e gjithë bota! Disa rrinë vetëm në oborr, duke mbajtur radhë për të prekur paksa gjoksin e statujës “Zhulietë” që rri në këmbë e pret vizitorët e shumtë në oborr, por disa të tjerë, pasi paguajnë njëfarë shumë simbolike (15 euro), hyjnë brenda shtëpisë, për të dalë më pas në ballkonin legjendar. Për hir të së vërtetës, Zhulieta e Shekspirit nuk bazohej në një person real dhe shtëpia nuk ka asnjë lidhje me historinë. Sidoqoftë, gjithmonë aty do të gjejmë turma të mëdha njerëzish nga e gjithë bota që vijnë në Itali për të jetuar fantazinë. Në fakt ka aq shumë për të bërë e parë në Verona!
E cilësuar si “Roma e vogël”, për hir të antikave romake, amfiteatrit të lashtë që njihet si “Arena e Veronës”, i stacionuar në pjesën më të dukshme të qytetit, ajo të befason me anën tjetër të medaljes: Verona është një mekë për adhuruesit e operës dhe organizon një nga festivalet prestigjioze ndërkombëtare të muzikës çdo verë. Jeta kulturore artistike, dyqanet e modës, restorantet dhe lokalet me ushqime të mrekullueshme dhe verëra të adhurueshme, gjithë jeta vibrante e qytetit është përqendruar më së shumti rreth “Arenës”, dhe rrugicave të qendrës së qytetit të vjetër. Netëve të bukura me hënë, teksa në sfond dëgjohet muzika e koncerteve dhe operave me famë botërore që shfaqen tek “Arena”, ke mundësinë të sodisësh njerëzit e veshur shik, që me hijeshi dhe elegancë shpalosin hiret dhe veshjet e tyre si në paradë.
Ka kaq shumë për të parë në Verona, por nuk ka asgjë për të bërë, sepse të gjithë e shohin atë në radhë të parë si qytetin e Romeos dhe Zhulietës. Është histori apo legjendë? Nuk ka shumë rëndësi, “Romeo dhe Zhulieta” është seriali më i vjetër që ekziston, legjenda e dashurisë së kryqëzuar me yje. Ishte Uilliam Shekspir, ai që e bëri të pavdekshme këtë legjendë, duke e vendosur atë në Verona. Historia, mitologjia, nuk ka rëndësi.
Sot, Verona është qyteti i dashurisë! Një qytet që ia vlen ta vizitosh, veçanërisht në ditët e ftohta të shkurtit kur më shumë se kurrë në një vend si ky ngrihet në piedestal dashuria dhe historitë e ëmbla të dashurisë!