Një histori shprese mbërrin nga Greqia e zhytur në zi për shkak të aksidentit të tmerrshem të trenave pranë Larisës që shkaktoi 57 të vdekur. Andreas Alikaniotis, një notari i ri premtues 20-vjeçar, po përshëndetet sot si hero. I riu, që studion në Selanik, ishte larguar nga Athina dhe ndodhej në vagonin e dytë të trenit të pasagjerëve të përfshirë në përplasje.
Menjëherë pas aksidentit, studenti në vend që të largohej e të shpëtonte veten mes frikës së flakëve, ka qëndruar në tren e ka thyer me duar xhamat e dritareve duke ndihmuar njerëzit të dalin prej andej. “Ai shpëtoi të paktën dhjetë vetë tyre,” tha një mjek në spitalin e Larisës, Eri Tziastoudis. Ishte pikërisht Tziastoudis që tregoi në Facebook historinë e Andreas, të cilin e cilësoi “një engjëll në tokë”.
“Ai është një hero sepse, pavarësisht se rrezikoi jetën e tij, nuk i braktisi njerëzit në vagonin megjithë zjarrin e që shpërtheu pranë tij. Andreas arriti të thyente xhamat e dritareve dhe të shpëtonte të paktën 10 të rinj, djem e vajza. Në këtë ditë të zezë, ai na tregoi se brezi i ri i grekëve ka dashamirësi, parime dhe etikë! Urime ty Andreas dhe prindërve të tu që të rritën!”, ka shkruar mjeku.
14 trupa të tjerë të djegur mbërritën në morgun e Larisës . 48 janë të plagosurit- 6 prej të cilëve ne terapi intensive. Tragjedia ka ngjallur zemërimin e familjeve, sindikatave dhe të gjithë shoqërisë greke, të tronditur nga kjo ngjarje për të cilën fajësohet mirëmbajtja e dobët, strukturat e vjetëruara por edhe gabimet e stafit të pamjaftueshëm.