KreuStil Jetese

Java e 8 marsit… ku Nina (s) mungoi 

Java e 8 marsit… ku Nina (s) mungoi 

Nga Zefina Hasani

Kjo e shtunë po mbyll jo vetëm ciklin e një jave të  zakonshme, por dhe atë të aktiviteteve të shumta, protestave, emisioneve, postimeve nëpër instagram e të shumë e shumë mesazheve që janë përcjellë përmes tyre, për 8 marsin për forcën e gruas, lirinë, pasionet e për gjithë qenien e veten e saj. Kam qenë e pranishme në disa prej tyre, duke nisur nga hiking në malin e Dajtit, të dielën e 5 marsit, për mbledhje fondesh në ndihmë të grave, viktima të dhunës, vijuar me episodin e radhës së rubrikës “Mama single” në Top Channel, që nisi me guximin e tyre për të treguar dhimbjet, vuajtjet, nën dritat e studios televizive… e duke përfunduar tek aktiviteti i RCC-së për promovimin e grave sipërmarrëse në biznes, në vendet e Ballkanit Perëndimor. 

Shumë evente, si Fem Fest, apo protestën kundër dhunës e vrasjes së grave, i ndoqa nga portalet e postimet në social media… 

Do të kisha dashur që në fundin e kësaj jave që i përkiti vajzave e grave, të kishte qenë, (siç në fakt ka qenë në çdo të shtunë) një tjetër episod i serialit televiziv, “Nina”, i cili më është dukur, që në episodet e saj të para (të sezonit të parë në RTSH e këtij të dytit në TV Klan) se përveç se vajzave single si Nina, (që përpiqet e jeton, herë mirë e herë jo edhe aq mirë, brenda vorbullës së forcave të vetes) u përket të gjitha vajzave e grave, siç janë shoqet dhe mamaja e saj në këtë serial. 

Me 1001 ndjesitë, fantazitë, lidhjet e ndërlikuara, shqetësimet, pasiguritë e padiskutim edhe besimin se gjithçka do të bëhet prap mirë, që çdo vajzë e grua, ndjen… “Nina” duhej të ishte epilogu më i bukur e më social (sepse aty për fat të mirë s’ka dhunë e sepse aty edhe drama më e thellë e pasigurisë për të nesërmen, zbutet me një batutë që të ndihmon të mos mbetesh zhytur në honin e mendimeve të errëta) i kësaj jave kur flitet më shumë se çdo herë tjetër për (pa) fuqinë e gruas. 

Por ja që “Nina” paska mbaruar para se të niste java e 8 Marsit. Ndaj atë epilog që ajo s’na e dha dot sot, po e shkruaj vetë: Nina ka folur për emancipimin e vajzës e të gruas, për zbukurimin e saj përtej kornizave që ka vënë ndër vite shoqëria shqiptare, pa pritur javën e 8 marisit, pa përdorur slogane e mesazhe klishe.

E ka bërë prej kohësh, çdo javë e nga pak, ashtu thjesht, me fjalë të vogla, me histori e të vërteta që jo të gjithë guxojnë t’i bërtasin. E ka bërë e duhet të vazhdojë ta bëjë sepse çdo javë, para gjatë e pas 8 marseve, do të bëhej më e bukur më motivuese, për vajzat jashtë çdo steriotipi si Nina por dhe për shoqet e saj e për shoqet e mamit të saj!

Tags:

Home bordo

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF