
Policia britanike është vënë në kërkimin e një gruaje të re e cila thuhet se sulmoi seksualisht një burrë në një shkallë lëvizëse në stacionin Euston të metrosë së Londrës. Burri po ngjitej aty kur gruaja u përpoq t`i hidhte krahët në qafë e më pas e sulmoi seksualisht pasi ai u përpoq të largohej prej saj.
Gruaja ishte me një mikeshën e saj kur mendohet se ndodhi incidenti në një zonë të metrosë, në qendër të kryeqytetit britanik.
Pas sulmit të supozuar, gratë hipen në një tren të metrosë e u larguan sipas policisë. Detektivët publikuan pamjet e marra nga kamerat e sigurisë, që tregojnë pamjen e një vajze të cilën hetuesit duan ta marrin në pyetje.
Ajo është e bardhë, me flokë të gjatë, të drejtë e të errët, ndërsa kishte veshur një fund ngjyrë bezhë, dhe një pallto të zezë të fryrë thuhet në përshkrimin e policisë.
“A njeh dikush këtë grua? Do të donim të flisnim me të në lidhje me një sulm seksual në stacionin e metrosë së Euston të premten. Rreth orës 21:00, një burrë po udhëtonte në shkallë lëvizëse kur një grua u përpoq ta përqafonte. Kur ai i hoqi krahun, ajo e sulmoi seksualisht. Gruaja që po udhëtonte me një shoqe u largua pas kësaj nga shkalla lëvizese dhe u ngjit në një tren. Oficerët do të donin të flisnin me vajzën që shfaqet në këto pamje, sepse besojnë se ajo ka informacione që mund të ndihmojnë hetimin,” thuhet në deklaratën e forcave britanike të rendit.