
Dua Lipa dhe Romain Gavras zyrtarizuan romancën e tyre në Festivalin e Filmit në Kanë këtë të premte. Çifti dukej shumë i lumtur teksa ecnin në tapetin e kuq të kapur për dore dhe pozonin për foto.
Muzikantja e “One Kiss” dukej mahnitëse me një fustan të zi të Celine, të cilin kishte zgjedhur ta kombinonte me sandale me rripa me taka të larta. Ajo zgjodhi që ‘look-un’ e saj ta plotësonte me flokë të stiluar me baluke. Ndërkohë, regjisori 41-vjeçar kishte zgjedhur një kostum klasik të zi kombinuar me një këmishë të bardhë.
Dyshja ndezën për herë të parë thashethemet për romancë në shkurt të këtij viti, pasi u panë duke darkuar në Londër. Menjëherë pas kësaj, ata u fotografuan të kapur për dore në Paris. Para se të dilte me Gavras, Lipa ishte në një marrëdhënie me Anwar Hadid.
Kujtojmë që Gavras është i njohur për regjinë e videos së Kanye West, No Church in the Wild dhe videon e M.I.A., Bad Girls. Ai ishte gjithashtu pas klipit të Mark Ronson dhe Miley Cyrus, Nothing Breaks Like a Heart.