KreuStil Jetese

Efektet “fantastike” te humusit, pjata që e duan të gjithë!

Efektet “fantastike” te humusit, pjata që e duan të

Thuhet gjithmonë se ushqimi është në gjendje t’i bashkojë njerëzit dhe kjo është e vërtetë! Sepse asgjë nuk bashkon më shumë njerëzit sesa të ulen rreth tryezës dhe të ndajnë ushqimin. Megjithatë, në disa raste mund të ndodhë edhe e kundërta. Një shembull i përsosur i kësaj është hummus bil tahina, i njohur gjerësisht si humus, mbreti i kuzhinës së Lindjes së Mesme që tani është përhapur në të gjithë botën. Kremi i shijshëm i bërë me qiqra dhe tahini (pastë me fara susami) është bërë shkak për mosmarrëveshje që shkojnë përtej tavolinës së bukës. Nga palestinezët te egjiptianët, nga izraelitët e deri tek grekët, të gjithë pretendojnë përkatësinë e humusit, i cili në fakt ka origjinë aq të lashtë saqë humbet në rrugicat e ngushta të kohës, thote agroweb.com. Ja historia e këtij ushqimi të mrekullueshëm, që sot konsumohet në çdo cep të botës.

Në ditët e sotme humusi lidhet automatikisht me një mënyrë jetese të shëndetshme dhe me kulturën vegane e stë vegjetariane gjithnjë e më të përhapur, por receta është shumë më tepër se kaq!

I thjeshtë dhe i shumëanshëm, humusi është një sintezë e shijeve të Lindjes së Mesme.

Një salcë e trashë e përbërë nga qiqrat, tahini, limon, vaj dhe kripë, e cila duhet të zbukurohet sipas dëshirës me erëza.

Është pjata e përbashkët, që serviret në tavolinë në një tas nga i cili mund të marrin të gjithë, duke zhytur një copë bukë ose një pite.

Pikërisht për këtë arsye, humusi është një simbol i intimitetit që krijohet vetëm mes darkuesve që ndajnë një pjatë.

Humusi është një nga pjatat që ka krijuar më shumë ndarje mes vendeve të Lindjes së Mesme.

Arsyeja e mosmarrëveshjes është origjina e paqartë dhe e pretenduar nga popuj të ndryshëm. E kjo pavarësisht se pjata është mjaft e përhapur në të gjithë Lindjen e Mesme (dhe më gjerë) sa nuk ka pothuajse asnjë kufi.

Egjiptianët nuk janë dakord, izraelitët ia kanë besuar pretendimin e tyre Biblës Hebraike, ku shkruhet për një pjatë të quajtur hummus.

Prandaj nuk është për t’u habitur që në Izrael kremi i qiqrave është një institucion i vërtetë, të cilit i kushtohen libra gatimi apo klube fansash.

Dy kombe të tjera pretendojnë atësinë e humusit, duke përfshirë Greqinë, ku duket se ka tërhequr veçanërisht vëmendjen e Platonit, dhe Libanin, i cili për këtë arsye ka krijuar një luftë të vërtetë gastronomike me Izraelin.

Çështja e autorësisë së humusit mund të duket si një çështje e vogël, megjithatë për Lindjen e Mesme është aq serioze sa ka çuar në një lloj konflikti, të njohur si lufta e humusit.

Gjithçka filloi midis 2006 dhe 2008, kur një kompani izraelite u akuzua nga Libani për përvetësim kulturor të recetës. Prej këtu nisi sfida me përplasjet ligjore, të drejtat e autorit, kërkesat drejtuar Bashkimit Europian për njohjen e origjinës së humusit dhe rekordet botërore.

Në fakt, një nga sfidat më të veçanta të luftës ishte kur të dy vendet u përpoqën të hynin në rekordin botëror të Guinness me humusin më të madh!

Fillimisht rekordi u fitua nga Libani me një humus 2000 kg, më pas Izraeli u përgjigj me një humus prej 4000 kg, e në fund Libani e mori përsëri titullin me një humus prej 10,452 kg (sipërfaqja e vendit në km katror).

Në përpjekje për të frenuar këto mosmarrëveshje gastronomike, u vendos dita botërore e humusit. Ajo festohet më 13 maj dhe synon të bashkojë të gjithë njerëzit e botës, veçanërisht ata të Lindjes së Mesme.

Përtej luftërave, polemikave dhe pretendimeve për përkatësi, humusi është simbol i gjithë Lindjes së Mesme, jo vetëm në nivelin gastronomik, por edhe në atë kulturor.

Në fakt, humusi mund të konsumohet në çdo moment të ditës dhe shoqërohet kryesisht me ushqimet karakteristike të Lindjes së Mesme si: falafel, bukë pa maja apo pite.

Duke pasur parasysh përhapjen e tij të pamasë, përveç recetës origjinale, sot ka dhjetëra receta për përgatitjen e humusit dhe për përdorimin e tij në mënyra nga më të ndryshmet. Sot humusi preferohet nga shumë njerëz në çdo cep të botës, sepse fal shije dhe plot vlera ushqyese.

Tags:

Home bordo

Bordo No.64
Nëntor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF