KreuStil Jetese

Jonida Çobani: Kafshët dhe fëmijët, miq për kokë!

Jonida Çobani: Kafshët dhe fëmijët, miq për

Nga Nada Biraçi

 “Kur hapim zemrat tona dhe pranojmë atë që kafshët kanë për të na mësuar, ne fitojmë jo vetëm sekretet për një jetë më të përmbushur, por edhe një ndjenjë më të madhe paqeje dhe dhembshurie”, citon autorja Mary Hessler-Kay në librin e saj “Çfarë mësojmë nga kafshët”. Të gjithë e dimë se nuk ka pamje më të ëmbël se ajo mes një fëmije dhe një qenushi, ndërsa janë zhytur në botën e tyre të çiltër të dashurisë, asaj prej vërteti. Megjithatë përballë faktit për të marrë një kafshë në shtëpi, ka ende njerëz që për arsye të ndryshme stepen. Dëgjojmë shpesh që shumë prindër të rinj, kur janë në pritje të një fëmije, heqin kafshën shtëpiake për sigurinë e bebit. Por a është e drejtë kjo? Animalistja Jonida Çobani, jo vetëm që nuk e gjen aspak të drejtë këtë veprim, por u tregua tejet e gatshme për të zhvilluar një bisedë me “Bordo” rreth lidhjes së shëndetshme mes një fëmije dhe një kafshe shtëpiake.

Dëgjojmë shpesh që shumë prindër të rinj, kur janë në pritje të një fëmije, heqin nga shtëpia kafshën shtëpiake për sigurinë e bebit. Është e drejtë?

Për ta kuptuar më mirë këtë situatë, dua t’ju jap një shembull. Në qoftë se djali yt i madh nuk shkon mirë me fëmijën e porsalindur, ti do ta braktisje fëmijën tënd të rritur? Sigurisht që jo! Atëherë pse e ke kaq të lehtë të heqësh dorë nga qeni yt? Një e keqe me këtë veprim është që i mësojmë fëmijët të heqin dorë nga gjërat, njerëzit, situatat, kur ato bëhen të vështira. Ky veprim legjitimon atë që kafshët janë inferiore, duke sjellë si derivat abuzimin ndaj tyre. Po i mëson fëmijës që ai është superior ndaj qenit të tij, e që mund ta flakë kur të dojë. Kjo është një mbjellje e keqe në koshiencën e fëmijës tënd.. dhe ajo çfarë do korrësh do jetë një sjellje e papërgjegjshme e fëmijës, si një individ i kësaj shoqërie.

Çfarë duhet të kemi parasysh kur vendosim të marrim një qen apo kafshë çfarëdo në shtëpi?

Mos merr një qen nëse nuk e sheh të barabartë me anëtarët e familjes. Mos merr një qen për t’u argëtuar fëmijët e tu. Sepse ata kanë ndjenja dhe janë në shumë aspekte më humanë se ne. Është e thjeshtë të duash fëmijën tënd, por të duhet një zemër akoma më e madhe të duash dhe t’i trajtosh kafshët si të ishin fëmijët e tu. Ta duash e ta respektosh një qenie tjetër, i mëson fëmijës të ketë, të ushqejë dashuri dhe kështu ai rritet emocionalisht i balancuar.

Kënaqësia në fytyrën e një fëmije kur ai ndërvepron me gjallesa të tjera (kafshë) duhet thënë që është e adhurueshme. Pse fëmija ka gjithmonë këtë qasje ndaj kafshëve?

Për shumë fëmijë, kafshët, veçanërisht ato shtëpiake, përfaqësojnë një strehë të sigurt dhe burim besimi. Kafsha është e çiltër njësoj si fëmija dhe është burim i pastër dashurie. Miqtë 4-putrotshë të vogëlushëve janë argëtues, qetësues, shpesh janë një burim ngushëllimi që fëmijët kërkojnë për të përpunuar ndjenjat e tyre. Thënë shkurt, fëmijët dhe kafshët janë ‘miq për kokë’.  

Çfarë përfitimesh sjell për fëmijën rritja në një ambient me qen, mace apo një kafshë tjetër?

Studimet kanë zbuluar se foshnjat e rritura në kontakt të ngushtë me një kafshë shtëpiake, sëmuren më rrallë në vitin e parë të jetës, që do të thotë më pak vizita në zyrën e mjekut. Ekspozimi ndaj kafshëve shtëpiake sugjerohet nga shumë studiues për të përmirësuar zhvillimin e sistemit imunitar të foshnjave.

Kur në shtëpi vjen një bebe, si duhet bërë prezantimi me kafshën e shtëpisë?

Prezantoheni gradualisht. Përpara se të sillni anëtarin e ri në shtëpi nga spitali, sillni në shtëpi një batanije ose veshje me të cilën është mbështjellë. Lëreni kafshën tuaj të nuhasë dhe të eksplorojë batanijen. Deri në momentin që të sillni të porsalindurin në shtëpi, qeni juaj duhet të jetë disi i njohur me aromën e foshnjës. Shanset janë që ai të jetë shumë i emocionuar kur ‘mami’ vjen me një bebe në krah. Për t’ia hequr këto emocione, dikush të shkojë më parë e ta nxjerrë për një shëtitje të gjatë, në mënyrë që të mund të djegë pak energji të tepërt. Nëse nëna e re ecën duke mbajtur fëmijën, një qen i emocionuar mund të kërcejë për ta përshëndetur. Reagimi i parë mund të jetë qortimi i qenit nga frika e dëmtimit të të porsalindurit. Kjo mund të krijojë një prezantim të gabuar. Mos e detyroni qenushin t’i afrohet foshnjës, por sigurohuni që t’i jepni shumë lëvdata dhe inkurajim për afrimin me qetësi. Shpesh ai ka nevojë vetëm për disa udhëzime nga ju, për të mësuar se si të sillet mirë me një foshnjë. Një nga arsyet që shumë qen sillen keq kur sillet bebja e re në shtëpi, është sepse ata stresohen nga të gjitha ndryshimet që ndodhin në shtëpi. Përpiquni të siguroheni që të ushqehet në të njëjtat kohë si gjithmonë, para se fëmija të kthehej në shtëpi. 

Por ka patur edhe raste incidentesh. Dhe raste të tilla stepin prindërit të marrin vendimin e marrjes së një qeni…

Asnjëherë mos lini një qen dhe një foshnjë pa mbikëqyrje. Mos e vendosni fëmijën dhe qenin tuaj në një pozitë të keqe, duke i lënë vetëm së bashku. Aksidentet mund të ndodhin edhe me qentë më të sjellshëm. Një gabim i zakonshëm është të presësh që qeni juaj ta dojë fëmijën tuaj po aq sa ju. Jepini kohë mikut tuaj me katër putra sepse fëmija (së bashku me vizitorët, rutina e re, etj.) është një ndryshim i madh për të. Nëse qeni juaj reagon shumë energjik, kur prezantohet për herë të parë me foshnjën e re, përpiquni t’i rezistoni tundimit për ta qortuar ose për të tërhequr litarin. Jepini atij pak vëmendje dhe pak kohë për t’u qetësuar. Mund ta shpërbleni me disa ëmbëlsira dhe ta lavdëroni sa herë që ai qëndron i qetë dhe sillet mirë kur foshnja është afër. Kjo do t’i mësojë se të kesh fëmijën pranë do të thotë që gjëra të mira të ndodhin.

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF