Historia e Encës me arrestimin për kanabis mund të mos ketë përfunduar ende. Kjo pasi Prokuroria e Tiranës ka ankimuar vendimin e gjykatës për lirimin e këngëtares, e cila qëndroi në paraburgim vetëm dy ditë pasi gjetën disa vazo të mbjella me marijuanë në banesë.
Prokuroria kërkon që këngëtarja të qëndrojë në qeli në masë ‘arresti me burg’, teksa hetohet për kultivimin e 5 bimëve kanabisi në ballkonin e vilës së saj në Lundër.
Gjatë seancës së kaluar, Enca Haxhiaj nuk foli para togave të zeza, ndërsa më herët është shprehur se është përdoruese droge dhe kanabisin e kishte mbjellë për ta konsumuar vetë.
Në Shqipëri kultivimi i bimëve, që shërbejnë ose dihet se shërbejnë për prodhimin dhe nxjerrjen e lëndëve narkotike dhe psikotrope, pa leje dhe autorizim sipas ligjit, dënohet me burgim nga tre deri në shtatë vjet.
Kjo vepër kur kryhet në bashkëpunim ose më shumë se një herë, dënohet me burgim nga pesë deri në dhjetë vjet.