Miss Universe Sheynnis Palacios ka ardhur për herë të parë në Shqipëri.
Ajo ka mbërritur në Tiranë teksa në aeroportin e Rinasit është pritur nga delegacioni shqiptar.
Më e bukura e Universit pritet që me vizitën e saj të promovojë Tiranën dhe brendin e Miss Universe.
Pamjet e para të mbërritjes së Sheynnis Palacios janë shpërndarë nga faqja zyrtare e Miss Universe Albania, e cila shkëlqen me një fustan stiluar nga stilistja e famshme Enada At'Nikolla.
Bukuroshja nga Nikaragua, modele dhe prezantuese, e ka marrë kurorën e më të bukurës në nëntor të vitit të kaluar, në El Salvador.
24-vjeçarja Palacios u bë vajza e parë nga Nikaragua që fiton çmimin Miss Universe, garë në të cilën Shqipëria u përfaqësua nga Endi Demneri.
Gjatë qëndrimit të saj dyditor në Tiranë, Palacios do të zbulojë më shumë rreth vetes dhe karrierës së saj në televizion, në një intervistë ekskluzive për MCN TV.
Bukuroshja është parë në ambientet e muzeut Bunk’Art 1 i konsideruar si ndër më të veçantët që i kushtohen të kaluarës së sistemit komunist. Gjithashtu ka dhënë një intervistë për Opinion dhe ka vizituar qytetin e Beratit.