Salloni “Style n’ Smile” ndodhet në zonën e Bllokut, pikërisht në zemër të kryeqytetit. “Style n’ Smile” është një nga më të njohurit në fushën e kujdesit dhe bukurisë, i cili drejtohet nga Yusufi Atli, një nga berberët më të njohur turq të kryeqytetit. Aty ofrohen jo vetëm shërbimet, por edhe produktet më cilësore dedikuar trajtimit të flokëve, por edhe ato estetike. Yusufi ka ardhur në Shqipëri para 13 vitesh si vizitor, por sot ai është një nga biznesmenët më të njohur dhe të suksesshëm të fushës, madje ka krijuar këtu edhe familjen e tij.
Yusuf, si je?
Mirë se erdhët në “Style n’ Smile”.
Çfarë shërbimesh ofrohen këtu?
Në sallonin “Style n’ Smile” ne ofrojmë shumë shërbime, nga trajtimet e fytyrës, trajtimet e trupit zakonisht, ato estetike, si dhe stilimet të flokëve, manikyr dhe pedikyr, si dhe një zonë dedikuar meshkujve. Kemi gjithashtu edhe shërbime për dobësim dhe dhomën VIP, ku bëjmë shërbime për personazhet që duan qetësinë dhe privatësinë e tyre.
Keni gjithashtu edhe një zonë dedikuar meshkujve?
Po, kemi një pjesë vetëm për shërbimet e djemve, nga prerjet e flokëve deri te rregullimi i mjekrës.
Te zona e vajzave, shohim shumë extension…
Po kemi extension, sepse është edhe interesi i vajzave më shumë. Janë ato që vajzat kërkojnë më shumë. Kemi llojet e modeleve dhe ngjyrave. Jemi i vetmi sallon që ofron gamën më cilësore dhe profesionale në Shqipëri.
Paskeni edhe një bar, a të pimë një çaj?
Po sigurisht, ky çaj vjen nga Turqia.
Si pihet me sheqer apo pa sheqer?
Me sheqer zakonisht, kjo varet sipas shijes. Edhe pa sheqer mund të pihet, sepse është i lehtë. Nuk ka kafeinë sa ajo e kafesë, ndoshta nga 5, 1 është me kafeinë.
Yusuf më trego pak për fillimin tuaj, kur ka qenë hera e parë që ti ke nisur këtë profesion?
Hera e parë që e kam nisur, ka qenë në moshën 12-vjeçare. Me sugjerimin e vëllait.
Vëllai është berber?
Jo nuk është berber, por ngaqë isha i bukur kur isha i vogël, kështu i pastër nga fytyra. Më tha: hajde je fiks për berber. Ngaqë jemi shumë vëllezër, më tha: ti të jesh berberi i shtëpisë.
Cila ka qenë puna jote e parë?
Fillova si ndihmës, duke parë, duke bërë praktikën, pas praktikës, fillon merr zanatin. Deri atëherë, nuk kisha gërshërë.
Pra, duhet të kalojë shumë kohë?
Sigurisht. Minimumi dy vjet. Ajo varet nga njeriu se ndryshon, por zakonisht dy vjet i do. Kjo punë bëhet me dëshirë, me pasion të them të drejtën. Tani janë bërë 27 vjet.
Sa vite punove në Turqi?
Në Turqi kam punuar 15 vite, që kur isha 12 vjeç deri në moshën 27 vjeç. Sapo më doli një ofertë, erdha këtu në Shqipëri. Sot jam 39 vjeç dhe jam prej gati 13 vitesh këtu. Pastaj gjeta çdo gjë këtu, njerëz të mirë, që janë të dashur me turqit.
Si erdhe herën e parë?
Herën e parë erdha si turist, për 4-5 ditë, mos gaboj. Dhe më pëlqeu të them të drejtën, si kulturë edhe njerëzit, sepse janë shumë të dashur me turqit, janë shumë të afërt. Kjo është arsyeja që jam ende këtu.
Po pastaj fillove të punoje?
Fillimisht 3-4 vitet e para e mendoja si aventurë, të rrija të punoja, por ndodhi çfarë ndodhi, pastaj mora pasaportën pas 5 vitesh dhe në atë kohë u njoha me nusen.
Pra, bashkëshortja jote është shqiptare?
Po është shqiptare.
Si u njohët, këtu në sallon?
Jo, ishim me shoqërinë, e njoha aty, e dashurova, madje kisha në plan për të ikur nga këtu, por pastaj thashë ta provoj me një biznes.
A e kishe menduar ndonjëherë që këtu do të krijoje një familje?
Jo, kurrë nuk e kisha menduar.
Si ja the familjes që ke njohur një vajzë shqiptare dhe do të jetë gruaja jote?
Në fillim ishin kundër, por pastaj e njohën nusen time dhe u dashuruan dhe ata.
E kujton si ka qenë prezantimi i parë me familjen tënde?
Shumë i vështirë. Sepse në familjen tonë, jam unë i pari që jam martuar me një të huaj. Unë nuk e shoh si të huaj, por ata e shihnin ashtu, dhe kjo ishte pak e vështirë. Sot kam dy goca, e vogla është 1 vjeçe e gjysmë, ndërsa e madhja është 3 vjeçe e gjysmë.
Si quhen?
Jusia dhe Inxhi. Inxhi në shqip është perlë.
Po Jusia?
Jusia është bashkim i emrit, Jusuf dhe Alesia.
A i flasin ato të dyja gjuhët, shqip dhe turqisht?
Vajzat flasin shqip, sepse jemi në Shqipëri. Turqishten e kuptojnë, e praktikoj unë ndonjëherë. E kuptojnë, por kanë siklet ta flasin.
Ato si ndihen më shumë, shqiptare apo turke?
Vajzat ndihen shqiptare. Vajza e madhe thoshte që jam turke në Shqipëri, por janë shqiptare të them të drejtën.
Pas ardhjes tënde këtu në Shqipëri. Si ishte fillimi?
Vështirësia e parë ka qenë gjuha, e dyta ambientimi me njerëzit, sepse ti ke ardhur nga një kulturë ndryshe. Këtu ka një kulturë ndryshe, por ama nuk jemi shumë “larg”. Domethënë njerëzve u ka pëlqyer zanati im, për këtë arsye dhe jam lidhur shumë me njerëz të mirë. Në këtë rreth, të gjithë janë biznesmenë ose nga media, por edhe nga politika. Pra, rrethohem nga njerëz të mirë.
Çfarë të pëlqen më shumë nga Shqipëria?
Pjesa më e bukur është gjelbërimi, ka shumë gjelbërim dhe oksigjen. Kjo është një arsye e mirë për të jetuar, mendoj unë. Në Turqi nuk ka kaq oksigjen dhe gjelbërim. Më pëlqejnë njerëzit sepse janë shumë të dashur, më pëlqen edhe qetësia.
Kur thua më pëlqen qetësia e Tiranës, imagjino si mund të jetë Stambolli…
Stambolli është 25 milionë banorë, llogarite me Tiranën 1 milion, pra 25-fish. Kështu që për t’u qetësuar, të duhet 2-3 orë rrugë që të gjesh një vend që të qetësohesh. Kurse këtu për 15 minuta del në Dajt, edhe ke ajër të pastër.
Si e ke mësuar gjuhën shqipe, ka qenë e vështirë?
E vështirë ishte, sidomos në fillim. E kisha shumë siklet, sepse personalisht në zanat duhet të komunikoj. Po nuk e kuptove njeriun se çfarë kërkesash ka, me çfarë psikologjie ka ardhur.. Se një zanatçi thellë-thellë shkon aty, në psikologjinë e klientit, pastaj mund të nxjerrësh një gjë të bukur.
Pra, duhet t’i kuptosh njëherë personalitetin klientit, që ta kuptosh çfarë kërkon?
Normalisht ai mund të tregojë një model, por mendjen e ka në këtë modelin tjetër. Kjo është ta kuptosh psikologjikisht. Duhet ta kuptosh duke folur, jo duke e pyetur. Duhet ta kuptosh çfarë të thotë dhe ku do të shkojë. Kjo është arsyeja.
Më the që ke shumë klientë nga politika, biznesi, showbizz-i, cilët janë ata që janë pak më tekanjozë?
Do të futem edhe në këtë temë domethënë…! Klientë nazeli zakonisht nuk kam, sepse unë atë që dua e bëj, edhe e tregoj. Ata besojnë në dorën time. Për shembull, i pari është Ermal Mamaqi, por edhe Olen Cesari, të cilët i kam shumë shokë.
Pra, çfarë ti i sugjeron, ata janë të hapur për ndryshime?
Po. Nga politika kam Erionin, kryetarin e Bashkisë së Tiranës, kam 10 vjet që e njoh dhe e kam shumë mik. Ai më dëgjon, në të gjitha sugjerimet që i bëj unë.
Të kalojmë te shërbimet e sallonit, çfarë kërkohet më tepër?
Vajzat zakonisht kanë më shumë interes për extension te ne, edhe te ngjyrat ombre. Domethënë këto janë shërbimet që kërkohen më shumë.
Po për extension, janë në modë flokët e gjata?
Kërkojnë extension për gjatësi dhe për volum. Por zakonisht, më shumë 70-80% janë për gjatësi. 20-30% janë për volum, sepse kanë gjatësinë e vet.
Po vajzat e ekranit dhe të showbizz-it, çfarë kërkojnë më tepër për flokët e tyre?
Zakonisht extension, të gjitha e kanë me extension. Asnjë nuk thotë që jam me extension. Ti je e para që kam parë pa extension. Shumë rrallë. Ke nevojë edhe për një trajtim nga unë.
Çfarë trajtimi do të më sugjeroje?
Do të sugjeroja havjar, që të bën shumë mirë edhe t’i ushqen flokët. Është diçka që e shërbejmë për VIP-at, edhe kush do e shërbejmë edhe në shtëpi. Shkojmë te shtëpia dhe ky është një shërbim i veçantë që ne ofrojmë, përveç asaj që kemi dhomën VIP. Ne jemi të vetmit që kemi shërbim të veçantë edhe në shtëpi.














