Shtrëngatat e shiut dhe erërat e forta kanë përfshirë pjesën më të madhe të vendit nga pasditja e së martës dhe gjatë gjithë natës, duke shkaktuar probleme të shumta në qarkullim, dëmtime në infrastrukturë dhe ndërprerje të energjisë elektrike.
Situata më e rënduar është paraqitur në zonat bregdetare të jugut, ku Vlora, Himara dhe Saranda u goditën nga erëra të fuqishme dhe reshje intensive. Brenda pak minutash, stuhia rrëzoi pemë, bllokoi disa akse rrugore dhe shkaktoi dëme në automjete e biznese.
Në Himarë, pasojat e motit të keq morën përmasa tragjike, pasi një punonjës 55-vjeçar i Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike humbi jetën gjatë një ndërhyrjeje për rikthimin e furnizimit me energji.
Ngjarja ndodhi rreth orës 03:00 të mëngjesit të së mërkurës, teksa ekipet teknike po punonin për riparimin e defekteve të shkaktuara në rrjetin elektrik. Viktima, me origjinë nga Elbasani, ishte dërguar në Himarë si pjesë e një grupi mbështetës për ekipet lokale.
Dyshimet paraprake janë se punonjësi ka rënë në kontakt me energjinë elektrike gjatë ndërhyrjes, ndërsa rrethanat dhe shkaku i saktë i vdekjes pritet të përcaktohen pas ekspertizës teknike dhe hetimeve të autoriteteve.
Stuhia shkaktoi dëme të konsiderueshme edhe në Sarandë, ku disa pemë u rrëzuan, rrugët u bllokuan dhe biznese përgjatë shëtitores u dëmtuan. Pranë stadiumit të qytetit, një pishë ra mbi tre automjete, duke shkaktuar dëme materiale.
Tre persona morën ndihmë mjekësore pasi u plagosën nga copëza xhami të thyera si pasojë e erërave të forta. Pas trajtimit, ata u larguan drejt banesave dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Edhe Tirana u përfshi gjatë natës nga reshje të dendura, shtrëngata dhe erëra të forta, të cilat në disa momente krijuan vështirësi në qarkullim dhe shqetësime për qytetarët.
Menjëherë pas kalimit të stuhisë, ekipet e bashkive dhe shërbimet emergjente dolën në terren për pastrimin e rrugëve, largimin e pemëve të rrëzuara dhe rikthimin e normalitetit në zonat më të prekura.
Ndërkohë, ekipet e OSHEE-së vijojnë punën për riparimin e dëmeve në rrjetin elektrik, ndërsa autoritetet u kanë bërë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes deri në stabilizimin e plotë të kushteve atmosferike.
