
Vizitorët që po eksplorojnë Gjirin e Vlorës kanë pasur mundësinë të përjetojnë një spektakël të veçantë natyror. Gjatë udhëtimit me mjetet turistike drejt ishullit të Sazanit dhe gadishullit të Karaburunit, një tufë delfinësh u shfaq pranë gomoneve, duke i shoqëruar për disa minuta.
Gjitarët detarë notuan krah mjeteve lundruese, u hodhën mbi sipërfaqen e ujit dhe luajtën mes dallgëve, duke krijuar një moment mbresëlënës për turistët. Shumë prej tyre e filmuan dhe e fotografuan këtë përvojë, duke e kthyer atë në një nga kujtimet më të bukura të vizitës së tyre.
Pamje të tilla nuk janë të pazakonta në Gjirin e Vlorës, veçanërisht gjatë ditëve me det të qetë dhe mot të favorshëm. Prania e delfinëve vazhdon të jetë një nga atraksionet më të veçanta natyrore të zonës, duke e bërë edhe më tërheqëse përvojën e lundrimit drejt Sazanit dhe Karaburunit.
