
Më shumë se 500 refugjatë Rohingya dyshohet se kanë humbur jetën pasi dy anije, me rreth 530 persona në bord, u zhdukën në det pas nisjes nga shteti Rakhine në Myanmar më 29 qershor.
Sipas organizatave që monitorojnë situatën e komunitetit Rohingya, ekziston frika se të dyja mjetet lundruese janë mbytur si pasojë e motit të keq dhe dallgëve të fuqishme të sezonit të musoneve. Anijet, zakonisht peshkarexha të vjetra të përshtatura për transportin e emigrantëve, konsiderohen të pasigurta dhe shpesh pësojnë defekte teknike. Besohet se rreth gjysma e pasagjerëve ishin gra dhe fëmijë.
Për shkak të konfliktit të vazhdueshëm në shtetin Rakhine dhe mungesës së komunikimeve, autoritetet dhe organizatat humanitare nuk kanë mundur të konfirmojnë zyrtarisht fatin e anijeve.
Chris Lewa, drejtuese e organizatës Arakan Project, deklaroi se të dhënat e mbledhura nga burime të ndryshme tregojnë se të dyja anijet u nisën nga fshati Sin Tet Maw, me destinacion jugun e Myanmarit, prej nga refugjatët planifikonin të vazhdonin udhëtimin drejt Malajzisë përmes Tajlandës.
Zakonisht, familjet marrin lajme nga të afërmit brenda 7 deri në 10 ditëve nga nisja, por kësaj radhe kanë kaluar afro tre javë pa asnjë kontakt.
Ndërkohë, autoritetet në Bangladesh kanë gjetur trupin e pajetë të një gruaje të nxjerrë nga deti, ndërsa peshkatarë në brigjet e Myanmarit kanë raportuar se kanë parë edhe disa trupa të tjerë, duke shtuar dyshimet se të dyja anijet janë fundosur.
Aktualisht, mbi një milion Rohingya jetojnë në kampe refugjatësh në jug të Bangladeshit, ku përballen me kushte të vështira jetese, mungesë ndihmash, papunësi dhe pasiguri, çka i shtyn shumë prej tyre të ndërmarrin udhëtime të rrezikshme në kërkim të një të ardhmeje më të sigurt.
