Finalja e madhe e Kupës së Botës 2026 mes Spanjës dhe Argjentinës, e cila do të zhvillohet këtë të diel, më 19 korrik, pritet të jetë historike jo vetëm për atë që do të ndodhë në fushën e lojës.
Për herë të parë, spektakli i finales do të pasurohet edhe me një “halftime show”, ku në skenë pritet të ngjiten disa prej emrave më të mëdhenj të muzikës botërore: Shakira, Madonna, BTS dhe Justin Bieber.
Katër artistët do të bashkohen në një performancë që premton të ndërthurë breza dhe stile të ndryshme muzikore, duke e kthyer finalen në një nga ngjarjet më të mëdha sportive dhe artistike të vitit.
Por sa do të paguhen yjet për pjesëmarrjen në spektaklin e Botërorit?
Sipas informacioneve të publikuara nga “MARCA”, artistët nuk do të marrin një pagesë fikse për performancën e tyre. Formati do të funksionojë në mënyrë të ngjashme me spektaklin e pushimit të Super Bowl-it, ku organizatorët mbulojnë të gjitha shpenzimet e produksionit, skenografisë dhe logjistikës.
“Pagesa” më e madhe për Shakirën, Madonnën, BTS dhe Justin Bieber do të jetë ekspozimi përpara një audience globale prej miliona shikuesish. Një paraqitje e tillë pritet të ndikojë ndjeshëm në rritjen e dëgjimeve në platformat muzikore, shitjet dhe të ardhurat e tjera të artistëve.
Raportohet se ata do të përfitojnë vetëm një shumë simbolike për periudhën e provave. Edhe në ceremonitë e mëparshme të Kupës së Botës, shumë artistë kanë pranuar të performojnë pa një pagesë tradicionale, pasi ekspozimi ndërkombëtar u ka sjellë rritje rekord në platformat dixhitale.
Spektakli gjatë pushimit të finales pritet të zgjasë rreth 11 minuta. Brenda kësaj kohe, Shakira, Madonna, BTS dhe Justin Bieber do të sjellin një performancë dinamike, të konceptuar për ta bërë edhe më madhështore përballjen mes Spanjës dhe Argjentinës.
