
Times Square në Nju Jork u mbush me ngjyrat bardheblu të Argjentinës, ndërsa mijëra tifozë u mblodhën për të krijuar një atmosferë spektakolare në prag të finales së Kupës së Botës ndaj Spanjës.
Sheshi ikonë i qytetit, i njohur për fluksin e turistëve dhe personazhet e famshëm që e popullojnë çdo ditë, këtë herë u kthye në një skenë feste për mbështetësit argjentinas. Mes tyre spikati edhe një person i maskuar si Lionel Messi, i cili u bë menjëherë qendra e vëmendjes dhe u rrethua nga tifozët për foto e brohoritje.
Argjentinasit kanë ruajtur traditën e tyre të “banderazo”-s gjatë gjithë turneut, duke organizuar tubime me flamuj, këngë dhe kore përpara çdo ndeshjeje. Edhe këtë herë, festimet nisën që në mbrëmje dhe vazhduan për orë të tëra, me mijëra persona që këndonin dhe valëvitnin flamujt kombëtarë. Shumë prej tyre kishin udhëtuar drejt Nju Jorkut vetëm për të përjetuar atmosferën e finales, edhe pse nuk dispononin bileta për ndeshjen.
Mes tifozëve ishte edhe Nazarena, e lindur në Buenos Aires dhe me banim në Atlanta, e cila tha se nuk mund ta humbiste këtë moment.
“Është vendi im. Jetoj në Shtetet e Bashkuara, por duhej të isha këtu. Atmosfera, njerëzit e mi dhe energjia janë të jashtëzakonshme”, u shpreh ajo për ABC News.
Edhe tifozë të tjerë theksuan se futbolli është një element që bashkon kombin argjentinas, pavarësisht vështirësive që vendi përjeton.
“Edhe pse kemi sfida ekonomike dhe probleme të ndryshme, kemi një zemër të madhe. Forca Argjentina”, tha një prej tyre.
Në Nju Jork nuk munguan as mbështetësit e Spanjës, të cilët organizuan aktivitetet e tyre përpara finales. Ata pranuan se tifozët argjentinas ishin dukshëm më të shumtë, por shprehën besim se skuadra e tyre do të triumfojë.
“Argjentinasit sjellin gjithmonë shumë tifozë me vete. Ne mund të jemi më pak në numër, por e mbështesim ekipin me të njëjtin pasion”, tha një tifoze spanjolle.
Një nga pikat kryesore të grumbullimit për komunitetin spanjoll ishte La Nacional Spanish Benevolent Society, institucion historik i themeluar në vitin 1868, që gjatë Botërorit ka shërbyer si qendra e aktiviteteve të tifozëve spanjollë në Nju Jork.
Përballja mes Argjentinës dhe Spanjës premton spektakël jo vetëm në fushën e lojës, por edhe në tribunat dhe rrugët e qytetit, ku mijëra tifozë nga të dyja vendet po e shndërrojnë finalen në një festë të vërtetë të futbollit.
