
Një incident i dyshuar i sigurisë kibernetike ka ngritur shqetësime në industrinë e filmit, pasi eksperti amerikan i sigurisë kibernetike Jeremiah Fowler pretendon se ka zbuluar një bazë të dhënash të aksesueshme publikisht, ku ndodheshin informacione personale të disa prej emrave më të njohur të Hollywood-it.
Sipas tij, databaza përmbante numra telefoni, adresa private emaili dhe të dhëna të tjera kontakti, të cilat mund t’i ekspozonin personazhet e famshëm ndaj mashtrimeve online, sulmeve phishing apo programeve keqdashëse.
Fowler deklaroi se identifikoi 666.369 regjistrime të lidhura me Festivalin e Filmit Tribeca në Nju Jork, festival i themeluar në vitin 2002 nga aktori Robert De Niro. Mes emrave që ai pretendon se ka gjetur në databazë janë Angelina Jolie, Robert De Niro, Danny Boyle, Neil Patrick Harris, Michael Douglas, Rami Malek, Sharon Stone, George Lucas dhe Martin Scorsese.
Eksperti, pjesë e kompanisë Black Hills Information Security, e cilësoi këtë si rastin më të madh të ekspozimit të të dhënave të personazheve të famshëm që ka hasur gjatë karrierës së tij.
Sipas Fowler, problemi nuk lidhej me një sulm të sofistikuar kibernetik, por me një gabim në konfigurimin e databazës. Ai shpjegoi se zbuloi tre databaza të lidhura me Festivalin Tribeca, ku ruheshin materiale për media dhe marketing për periudhën 2019–2026. Në njërën prej tyre ndodhej edhe një kopje rezervë (backup) me një dosje të quajtur “contacts”, e cila përmbante informacione personale të individëve.
Fowler tha se kontaktoi organizatorët e festivalit për t’i njoftuar mbi situatën disa ditë para nisjes së edicionit të këtij viti. Pas sinjalizimit të tij, databaza u bë e paarritshme për publikun.
Eksperti kujtoi gjithashtu se më herët gjatë këtij viti kishte zbuluar një tjetër rast të ekspozimit të të dhënave, i cili sipas tij lidhej me përdorimin e një programi përgjues ndaj një personazhi të njohur. Në atë databazë ndodheshin mbi 86 mijë fotografi, komunikime private, biseda me partnerë biznesi, modele, influencerë dhe figura publike, materiale që nuk ishin menduar kurrë të bëheshin publike.
Deri tani, Festivali i Filmit Tribeca nuk ka reaguar zyrtarisht ndaj pretendimeve për rrjedhjen e mundshme të të dhënave personale.
