
Procesi gjyqësor për vdekjen e Diego Armando Maradonës ka sjellë një tjetër dëshmi që hedh dritë mbi ditët e fundit të ikonës së futbollit argjentinas.
Në seancën e radhës dëshmoi Luciano Spena, mjek dietolog i kombëtares së Argjentinës, i cili tregoi se më 18 nëntor 2020, vetëm një javë para ndarjes nga jeta të Maradonës, kishte shkuar në banesën e tij së bashku me mjekun Pedro Di Spagna për një kontroll shëndetësor.
Megjithatë, sipas Spenës, vizita nuk u zhvillua. Ai deklaroi se, menjëherë pas mbërritjes së neurokirurgut Leopoldo Luque, nga dhoma ku ndodhej Maradona u dëgjuan zëra të ngritur dhe britma. “Dëgjonim debate dhe të bërtitura”, u shpreh ai para gjykatës.
Pas pak, sipas dëshmitarit, Luque u tha mjekëve se nuk ishte momenti i duhur për të kryer kontrollin, duke u shprehur se “nuk ishte një ditë e mirë”.
Maradona humbi jetën më 25 nëntor 2020, në moshën 60-vjeçare. Sipas ekspertizës mjekoligjore, ai ndërroi jetë si pasojë e një edeme akute pulmonare, e lidhur me një problem të rëndë në zemër.
Aktualisht, tetë anëtarë të ekipit mjekësor që kujdesej për ish-futbollistin po përballen me drejtësinë. Mes tyre janë neurokirurgu Leopoldo Luque dhe psikiatrja Agustina Cosachov. Ata akuzohen se nuk i ofruan Maradonës kujdesin e nevojshëm mjekësor, një neglizhencë që, sipas prokurorisë, mund të ketë ndikuar në vdekjen e tij. Të gjithë të pandehurit i kanë mohuar akuzat, ndërsa procesi gjyqësor vazhdon me dëshmi të reja.
